Shpallen kandidaturat për Çmimet “Oscar”

Gara e ethshme për statuetat e famshme “Oscar”, nisi të hënën, kur Akademia e Artit Filmik dhe Shkencave shpalli kandidaturat për edicionin e 92-të të “Academmy Awards”.

Trilleri psikologjik “Joker” është filmi më me shumë nominime, plot 11 të tilla, ndër të cilat edhe për filmin më të mirë. Por për vlerësimin më prestigjioz në botën e kinemasë do të përballet me 8 pretendentë të tjerë; ndër të cilët “Irish man”, “1917” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”.

Për statuetën e regjisorit më të mirë, gara do të zhvillohet mes Martin Scorceze për “Irish Man”, Quentin Tarantino për “Once Upon a Time in Hollywood”, Todd Philips për “Joker”, Sam Mendes për “1917” dhe Bong John Ho, për “Parasite”.

Scarlet johanson, Charlize Theron dhe Rene Zellweger janë pretendente për statuetën e aktores më të mirë protagoniste, ndërsa në kategorinë e meshkujve përballen Antonio Banderas për rolin në “Pain and Glory”, Leonardo di Caprio, protagonist i “Once Upon a Time in Hollywood” dhe Joaquinn Phoenix, për rolin e “Joker”.

Betejë mes titanësh edhe në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor, ku janë emrat e Tom Hanks, Anthony Hopkins, Al Pacino, Joe Pesci dhe Brad Pitt. Scarlet Johanson dhe Margot Robbie janë kandidate për çmimin e aktores më të mirë në rol dytësor. Mes prodhimeve që garojnë për çmimin e filmit më të mirë të huaj, është edhe ai maqedonas, “Honeyland”.