Firmoset marrëveshja, Reforma Zgjedhore përfundon brenda 15 marsit – A2

Firmoset marrëveshja, Reforma Zgjedhore përfundon brenda 15 marsit

Reforma Zgjedhore do të përfundojë para datës 15 mars. Kështu të paktën është shkruar në dokumentin mbi të cilin përfaqësuesit e opozitës jashtë Parlamentit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili,  u takuan këtë të martë me bashkëdrejtuesit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.

Palët kanë rënë dakord që të formojnë një Këshill Politik me përfaqësues nga të gjitha palët, i cili do të mblidhet brenda muajit janar të këtij viti.

Në dokumentin që A2 zotëron, thuhet se palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve që janë objekt pune i Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfshirë këtu edhe rekomandimet e OSBE/ODHIR. “Për çështjet që nuk do të gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe ndihmë nga ekspertët ndërkombëtarë”, thuhet në dokument.

Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve, do të miratohet nga Kuvendi dhe shumica angazhohet të plotësojë kërkesën që artikuloi më parë gjatë ditës kreu i PD, Basha, pasi do ta miratojë atë pa kryer ndryshime në komision dhe seancë plenare.