Investimi në prona, vlerat në treg në rritje edhe pas tërmetit – A2

Investimi në prona, vlerat në treg në rritje edhe pas tërmetit

Tërmeti shkundi banesat e shqiptarëve, por jo tregun imobiliar. Çmimet e apartamenteve vazhdojnë rritjen e qëndrueshme nxitur nga kërkesa e lartë. Sipas agjentit të tregut të pronave, Luan Aliu, pas 26 nëntorit klientët janë shtyrë drejt godinave më të sigurta, ndërsa ndryshimet e propozuara në kodet e ndërtimit mund të rrisin më tej çmimet. 

“Transaksionit që ishin për t’u mbyllur në fund të nëntorit apo në dhjetor janë duke u konkluduar në ditët e para të janarit dhe kështu do të vazhdojë. Do të ndikojë gjithashtu në ndryshimin e kodeve të ndërtimit pasi godinat që do të ndërtohen nga sot e tutje duhet të paraqiten me projekte antisizmike. Detyrimisht, nga rritja e kostos për metër katrorë, rritet edhe çmimi”, u shpreh Luan Aliu.

Pronat e paluajtshme janë forma më e mirë e investimit edhe për të ardhmen, ku vlerë do të marrin krahas qendrës edhe zonat periferike të kryeqytetit.

“Ka shumë individë, investitorë le të themi më saktë që në vend që të bëjnë një investim në sektorë të ndryshëm ku shpesh herë edhe dështohet, investimi në pasuri të paluajtshme është gjithmonë një investim i sigurt, ashtu si nëpër botë. Vitet e fundit ka pasur një rritje çmimesh të qirave dhe në zonat e konsideruara si periferi”, shpjegon Aliu.

Krahas rritjes së çmimit të shitjes, investitorët në pasuri të paluajtshme po përfitojnë edhe nga zhvillimi i tregut të qirasë, veçanërisht me klientët e huaj rezidentë në Shqipëri, apo vizitorë përmes platformave si Booking dhe AirBNB.