Kreu i Gjykatës së Posaçme në vetting, drejt konfirmimit – A2

Kreu i Gjykatës së Posaçme në vetting, drejt konfirmimit

Ka nisur procesi i rivlerësimit për kryetarin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Sandër Simoni, i cili të paktën deri më tani, duket se do të konfirmohet në detyrë.

Sipas raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, konstatohet se ka deklarim të saktë, nuk ka fshehje, nuk ka deklarim të rremë dhe as konflikt interesi. Nga hetimi i thelluar rezulton se Simoni ka blerë apartamentin ku banon me vlerë më të ulur se të tjerët.

Megjithatë, Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit tha se Simoni i ka pasur mundësitë financiare për pasurinë që ka deklaruar ndërsa nuk ka rezultuar të ketë ndonjë konflikt interesi. KPK ka gjetur gjithashtu një mospërputhje në lidhje me mobilimin e apartamentit në pronësi të zotit Simoni.

Kreu i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është nënshtruar gjithashtu edhe kontrollit të figurës, nga ku rezulton se nuk ka prova apo informacione për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, çka përbën shkak për vazhdimin e detyrës.