Krijimi i qeverisë, Vetëvendosje, propozim të ri për LDK – A2

Krijimi i qeverisë, Vetëvendosje, propozim të ri për LDK

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i ka paraqitur një ofertë të re Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shpresuar në zgjidhjen e ngërçit që po pengon krijimin e qeverisë.

Mediat lokale, raportojnë se propozimi i ri parashikon rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14 të, 6 prej të cilave do të drejtohen nga LDK, 5 nga Vetëvendosje dhe 3 nga përfaqësuesit e minoriteteve.

Sipas propozimit të Albin Kurtit, kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i 2-të, një nënkryetar Kuvendi dhe 5 ministri do t’i takonin Vetëvendosjes.

Kjo e fundit është pajtuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të propozojë kandidatin për president, i cili siç thotë, duhet të plotësojë të gjitha kriteret kushtetuese

Që prej së enjtes së kaluar, krerët e dy partive që po negociojnë për krijimin e një koalicioni qeveritar nuk kanë zhvilluar asnjë takim, pavarësisht këmbënguljes së vazhdueshme të Presidentit per zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërçit.

Kurti i kërkoi të hënën Hashim Thacit të mos ushtrojë presion e të mos tejkalojë kompetencat duke ndërhyrë në proces.

Ndërkaq, ambasadori amerikan Philip Kossnet vizitoi një ditë me parë selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga ku iu bëri thirrje dy palëve të formojnë sa më shpejt qeverinë. Por kreu i LDK-së tha pas takimit se zgjidhjen për marrëveshjen e ka Vetëvendosja.