Pretendimet e PS, gënjeu Nik Muzin apo Lulzim Basha? – A2

Pretendimet e PS, gënjeu Nik Muzin apo Lulzim Basha?

Deklarimin e lobistit amerikan, Nik Muzin, i cili pranon se paratë që mori nga Biniata Trade vinin nga Partia Demokratike, socialistët i vendosin përballë qëndrimeve të Lulzim Bashës në prokurorinë shqiptare.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe zv/kryeministri Erion Braçe, në sinkron me njëri-tjetrin publikuan edhe një herë dokumenta të Departamentit Amerikan të Shtetit me pretendimin se hetimet e prokurorisë shqiptare nuk ishin të plota dhe se vendimi për pushimin e çështjes ishte i padrejtë.

Në një dokument të publikuar nga socialistët është firma e Lulzim Bashës, pikërisht në kontratën sipas së cilës ai ka përfituar shërbime nga Muzin Capitol Partners. Vetë Partia Demokratike e pranon se e nënshkroi këtë kontratë dhe se pagoi vetëm 25 mijë dollarë për këto shërbime.

Pikërisht këtu është edhe kontradikta me Nik Muzin. Siç shihet në dokumentin tjetër të publikuar nga socialistët, lobisti amerikan e përfshin Partinë Demokratike jo vetëm në pagesën e 25 mijë dollarëve, por edhe në një shumë tjetër kolosale, prej 500 mijë dollarësh. 150 mijë dollarë të tjerë sipas Muzin u paguan nga kompania “offshore”, lidhja e së cilës me PD nuk u provua kurrë, pavarësisht hamendësimeve.

“Prova thotë se Nik Muzin, njeriu nën kontratë me PD, ka deklaruar zyrtarisht me shkrim se ka marrë për llogari të PD-së 670 mijë dollarë. Tani, ose gënjen ai nën betim dhe përgjigjet në Amerikë për këtë, ose gënjejnë këtu Lulzim Basha e zarat e tij dhe kanë imunitet e as hetohen e as gjykohen”, tha Braçe.

Për demokratët, akuzat janë qesharake, pasi, sipas Enkelejd Alibeajt, “ka shkuar më tepër sesa në SPAK, është hetuar nga zyrat e prokurorisë si celulë e Partisë Socialiste”.