Rindërtimi pas tërmetit, mbahet në Tiranë samiti ndërkombëtar i turizmit – A2

Rindërtimi pas tërmetit, mbahet në Tiranë samiti ndërkombëtar i turizmit

Po zhvillohet në Tiranë Samiti Ndërkombëtar për Turizmin, marrë shkas nga pasojat katastrofike që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë konferencë me rëndësi të veçantë marrin pjesë ministra nga vendet e rajonit, përfaqësues turistikë vendas e të huaj si dhe kryetarët e bashkive.

Përveçse promovon Shqipërinë si një destinacion turistik ndërkombëtar, fokusi i këtij eventi të rëndësishëm është rindërtimi pas tërmetit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se Shqipëria do të vijojë të mirëpresë vizitorë nga e gjithë bota, ndërsa theksoi  se synohet arritja e objektivit 10 milionë turistë. Sipas tij, turizmi është një ndër sektorët më potencialë të vendit dhe për nxitje e tij nevojiten politika të përbashkëta rajonale. 

“Përtej vokacionit të solidaritetit, kjo industri dëshmoi se realisht është një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë të Shqipërisë. Me rritje vjetore dyshifrore, me 3 milionë turistë që e kemi gjetur në 2013, 5.9 milionë ishin në 2018. 6.5 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në 2019, e me sfidën e qartë për të shkuar në 10 milionë turistë në vitet e para të dekadës së re, ne jemi këtu për të bërë së bashku me kolegët tanë politika të caktuara për të mbështetur turizmin”, tha Klosi.