Gratë në sipërmarrje, zhvillohet samiti i biznesit. Denaj: Rrisim financimin – A2

Gratë në sipërmarrje, zhvillohet samiti i biznesit. Denaj: Rrisim financimin

denaj 1100x620
Video

Shqipëria humb çdo vit 20% të PBB-së së saj për frymë për shkak të shkallës së ulët të pjesëmarrjes së femrave në forcat e punës dhe hendekut gjinor në paga.

Shifra llogaritet nga Banka Botërore, me të cilën Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka arritur një marrëveshje prej 9,1 milionë eurosh për financimin e politikave për fuqizimin e rolit të gruas në ekonomi. 

Kjo ishte dhe tema në qendër të Samitit të Grave të Biznesit, organizuar për herë të parë nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Aktiviteti synon të krijojë një rrjet bashkëpunimi midis sipërmarrjeve të suksesshme të drejtuara nga gratë në diasporë dhe ato në Shqipëri, si dhe të propozojë zgjidhje për problemet kryesore që hasin këto biznese, si aksesi në financa.

Aktualisht, në vendin tonë, 25,7% e bizneseve aktive menaxhohen nga gratë, kundrejt 36% në vendet e Bashkimit Europian. Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht biznese të vogla me 1-4 të punësuar. Ndërsa më pak se 1 në 5 kompani të mëdha me mbi 50 punonjës drejtohen nga një menaxhere grua.