Partitë shqiptare të Luginës së Preshevës bashkohen për zgjedhjet parlamentare në Serbi

16 JANAR GENC CAKAJ frame 2644 1100x620

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës kanë vendosur të bashkohen në një listë të vetme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen së shpejti në Serbi.

Përfaqësuesit e partive u takuan në Tiranë bashkë me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, në përfundim të të cilit nënshkruan edhe atë që u quajt “Marrëveshja për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.

Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Cakaj vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje duke theksuar: “Sot përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë dhënë shembullin më të vyer e domethënës se si shumë dallime partiake mund të artikulohen brenda vetëm një qëndrimi kombëtar.”

Sa i takon funksionit që do të ketë kjo marrëveshje Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh: “Kjo listë do të ketë funksion të pazëvendësueshëm në ngritjen e një vargu të gjerë shqetësimesh me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore. Bashkimi sot iu shërben qytetarëve të Luginës, por edhe shqiptarëve kudo që janë”.