Goditet banda italo-shqiptare, 20 të arrestuar, sekuestrohen 440 kg lëndë narkotike dhe armë – A2

Goditet banda italo-shqiptare, 20 të arrestuar, sekuestrohen 440 kg lëndë narkotike dhe armë

policia naten vlore 1100x620

20 persona u arrestuan në Itali dhe Shqipëri, pas një operacioni të përbashkët mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane.

Policia njoftoi gjithashtu se në përfundim të operacionit, pas hetimeve që zgjasnin prej katër vitesh, u bë e mundur edhe sekuestrimi i 440 kg lëndë narkotike, si kokainë, heroinë dhe hashash, si dhe disa armë zjarri. Ndër të arrestuarit, edhe një 50-vjeçar nga Shkodra, i cili përfundoi në pranga këtë të premte.

Policia tha se hetimet për këtë operacion kishin filluar pas vrasjes së shtetasit italian F. F., në qytetin Trani, në janar të vitit 2015.

“Personi që kontrollonte dhe organizonte trafikun e drogës nga Holanda, Gjermania dhe Shqipëria ishte një shtetas shqiptar, i cili nëpërmjet njohjeve të tij i siguronte organizatës kokainë, heroinë dhe hashash. Sasia e drogës vinte me anë të korrierëve që zakonisht e fshihnin në ndarjet e dyfishta në makina. Kjo organizatë e kishte qendrën në qytetin e Foggias”, thuhet në njoftimin e Policisë.