Në fushën e blertë ishte një pitbull, në tavolinën e bixhozit një humbës… i suksesshëm – A2

Në fushën e blertë ishte një pitbull, në tavolinën e bixhozit një humbës… i suksesshëm

Në qoftë se dikujt i duhet të japë një shembull, ndër vite, të mesfushorit luftarak dhe shpesh herë brutal në fushë, Thomas Gravesen është pa dyshim nga emrat e parë që vijnë në mend.  

Danezi që u bë idhulli i Evertonit në fillimin e viteve 2000, dhe që më pas bëri hapin e madh duke kaluar tek Real Madrid, por pa mundur të përshtatej në lojën dhe mentalitetin e Galacticos,  e la përgjithmonë fushën e blertë në vitin 2009.

Nga ai vit shumë pak dihej për të, përtej faktit që ishte transferuar në Las Vegas, ku kishte patur fat dhe aftësi në investimet e tij.

Por vitet e fundit emri i tij ka dal sërish në pah falë pokerit, lojë me të cilën ish-mesfushori duket se kënaqet pa masë, edhe pse është një kënaqësi shumë e kushtueshme. Bashkë me gruan e tij, modelen  Kamila Persse, ai frekuenton të gjitha kazinotë e qytetit të njohur amerikan, dhe me sa thotë ka humbur rreth 60 milionë dollarë në vitet e fundit.

Një shumë marramendëse, por që zbutet shumë kur mëson që nga investime e zgjuara ish-futbollisti ka përfituar më shumë se 100 milionë dollarë.