Gjykata e Tiranës vendosi masën arrest me burg për 7 nga të ndaluarit mes tyre dhe ish-kryekomunari i Farkës Fatbardh Plaku dhe Besnik Fuçia i Kasharit. Luan Beta, ish-shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Vorës, u la nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Sipas Prokurorisë ata dyshohen për ndërtim të paligjshëm shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh. Ata akuzohen se kanë favorizuar ndërtimin e objekteve që u shembën gjatë tërmetit të 26 nëntorit, jashtë kritereve, në kundërshtim me lejet e lëshuara. Në disa godina të dëmtuara nga tërmeti, u konstatuan dhe ndërhyrje në struktura.
Për sa i përket pjesës tjetër gjykata caktoi arrest shtëpie për 12 persona dhe detyrim paraqitje për 11 prej tyre. Të ndaluarit dolën dje para gjykatës, por gjyqtarja Vjollca Spahiu kërkoi më shumë kohë për të vlerësuar pretendimet e ngritura nga prokuroria dhe mbrojtja.
Gjykata e Tiranës ka dhënë masat e sigurisë për 31 personat e arrestuar në lidhje me godinat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në rrethin e Tiranës.
Lista e masave të sigurisë
Masa e sigurisë “arrest me burg” u dha për: Besnik Fuçia, Fatbardh Plaku, Hodo Gjoni, Artur Skela, Fejzi Dyrmishi, Naim Shehi dhe Gëzim Shkalla.
Masa e sigurisë “detyrim paraqitje” u dha për: Anila Harxhi, Reis Muça, Merita Kushe, Hekri Disha, Bukurie Halili, Adhurim Qehajaj, Stela Maze, Zhaneta Tagani, Shpëtim Kërçiku, Jan Ikonomi dhe Ermir Çina.
Masa e sigurisë “arrest shtëpie” u dha për: Faik Fejza, Ndoc Pepkolaj, Mehmet Felahi, Agim Eski, Pëllumb Korfuzi, Qiriako Gjergo, Asqeri Xhanari, Vjollca Hoxholli, Ali Dyrmishi, Shefqet Doda, Gerti Qalliku, Luan Beta. Ndërkohë, 11 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Pretendimet e Prokurorisë
Prokuroria e Tiranës bëri të ditur më parë se në të gjithë rrethin, për shkak të tërmetit janë shpallur të pabanueshme 25 godina të institucioneve publike, 134 pallate dhe mbi 200 banesa private. Përveç zonave të Vorës, Kasharit dhe Farkës, të cilat janë hetuar deri tani, hetimet po vazhdojnë edhe për njësinë administrative Dajt, por edhe për godinat në Bashkinë e Kamzës.