Siria, Botërori, oligarkët dhe Trump… 20 vitet e Putin në pushtet (pjesa e dytë)

(Vijon nga java e kaluar…)

Vladimir Putin ka pasur një presidencë të gjatë dhe me jo pak ngjarje që e kanë shënjuar drejtimin e shtetit prej tij.

Kjo pjesë e dytë e “Dëshmi”, për 20 vitet e Vladimir Putin në pushtet, nis me ndërhyrjen në Siri, më të madhen ndër dekada në lindjen e Mesme, duke e kthyer kështu valën e konfliktit në favor të mikut të tij, presidentit Bashar al Asad.

Presidenti sirian i ishte mirënjohës: “Ju falënderoj shumë zoti President. Së pari, dua t’ju falënderoj juve dhe krerët e shtetit të Rusisë dhe të gjithë zyrtarët rusë. Padyshim dua të falënderoj edhe popullin rus, për mbështetjen nga popullit sirian”.

Ndërsa Putin do të shfrytëzonte rastin për t’u mburrur: “Forcat tona të armatosura, ushtria dhe të gjitha sipërmarrjet industrial kanë treguar fuqinë në rritje të ushtrisë dhe marinës ruse dhe aftësive të tyre të larta për luftim. Jemi të plotësuar nga të gjitha anët”.

Sport dhe politikë

Ekipi rus u përjashtua nga Lojërat Olimpike të Rios në vitin 2016-të, pasi një raporti të komisionit anti-doping, të hartuar nga ligjvënësi kanadez Richard McLaren, pas testeve që provuan përdorimin e substancave të ndaluara nga sportistët rusë, madje edhe faktit se atletët dhe zyrtarët rusë, kishin manipuluar testet anti-doping, përpara lojërave olimpike.

“Atletët që morën pjesë bashkë me zyrtarët rusë të Ministrisë së sportit dhe e gjithë infrastruktura e tyre, duke përfshirë këtu Agjencinë Ruse anti-doping, qendrën e sporteve ruse, laboratorin në Moskë dhe Shërbimi Sekret rus, kanë manipuluar kontrollet anti-doping. Këta atletet nuk kanë vepruar në mënyrë individuale por ka qenë e gjithë kjo infrastrukturë shtetërore, që ka organizuar këtë gjë”, do të thoshte McLaren.

Atletët rusë u përjashtuan edhe nga konkurrimi, si përfaqësues të shtetit të tyre, edhe nga Lojërat Dimërore të 2018-ës, për shkak të lidhjeve të tyre sistematike me dopingun. Ata u regjistruan si atletë olimpike neutral, duke e pasur kështu të pamundur të këndojnë himnin rus apo të vishnin e të mbanin flamurin apo simbole të shtetit të Rusisë gjatë garës. 

Rritja ekonomike, rikthim në epokën sovjetike

Rusia e përqendroi rritjen ekonomike të së ardhmes drejt burimeve të rinovueshme të energjisë në Arktik, duke ringjallur kështu rrugëtimin detar përmes akullit, si në epokën sovjetike. Vetë Putin tha se vendi duhet të bëjë përpara dhe të shtojë më shumë prezencën e saj në Arktik dhe të sfidojë hapur shtetet e tjera duke eksploruar rezervat natyrale më të mëdha të botës.

Ndër vite, Putin kish tentuar dhe ja kish dalë të hedhë themelet e një blloku të madh tregtar mes disa vendeve, të cilat synonin të sfidonin hapur fuqitë ekonomike të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Deri në gusht të 2017-ës, Rusia ja kish dalë të ndërtonte urën, që kushtoi disa miliarda dollarë, urën që do të bashkonte përfundimisht Rusinë me rajonin e aneksuar vite më parë nga Ukraina, Krimenë, një projekt që Vladimir Putin e kishte shumë për zemër.

Opozita ruse tentoi të krijojë konkurrencë ndaj Putinit, në një përpjekje për të garuar në zgjedhjet presidenciale të radhës në dhjetor të vitit 2017. Alexei Navalny ishte rivali i tij, por dështoi. “Ne kemi parë prova të qarta këtë vit se Vladimir Putin dhe regjimi i tij nuk kanë aspak mbështetje në Rusi. Moska zyrtare nuk ka mbështetje popullore, pavarësisht faktit se sa fort ka punuar administrata Putin, pavarësisht gënjeshtrave të tyre të pafundme në televizion. Ata nuk gëzojnë mbështetje askund”, do të thoshte ai.

“Lodra” e re e rrezikshme e Putin

Putin njoftoi krijimin e një grupi armësh të reja nukleare, në një nga fjalimet e tij më luftarake ndër vite teksa theksoi se ato mund të godasin thuajse në çdo cep dhe vend të botës dhe mund të shmangin lehtësisht edhe mburojat amerikane kundër predhave.

“Ky sistem i ri nuk ka virtualisht asnjë limit në distancë. Siç mund ta shihni edhe në video është në gjendje të sulmojë objektivat si nga veriu ashtu edhe nga jugu. Sarmat është një armë e jashtëzakonshme. Asnjë sistem, as ndonjë sistem mbrojtës raketor që është ende në perspektivë, nuk janë pengesë për të, kjo falë karakteristikave të sistemit të ri”.

Luftë spiunësh

Një ish-spiun rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij u helmuan në Angli, me një agjent nervor. Ata mbijetuan por një grua, që jetonte pranë familjes Skripal humbi jetën pak ditë më vonë, pasi bashkëshorti i solli në shtëpi shishen e parfumit ku ish hedhur agjenti kimik. Britania akuzoi Moskës, e cila edhe një herë mohoi çdo përfshirje në ngjarje.

6 ditë më pas, kryeministrja Theresa May doli përpara mediave, me akuza të forta: “Bazuar në identifikimin pozitiv të këtij agjenti kimik nga ekspertët ndërkombëtarë të Laboratorit të shkencës dhe teknologjisë në Porton Doun, ne kemi njohuri se Rusia më herët e ka prodhuar këtë agjent dhe mund të jetë e aftë ta bëjë përsëri. Rusia ka histori të vrasjeve të sponsorizuara e të kërkuara nga shteti dhe ne mendojmë se Rusia i sheh disa të larguar, si targete legjitime për tu vrarë. Qeveria jonë ka dalë në përfundimin se me shumë gjasë, Rusia është përgjegjëse për këtë akt kundër Sergei dhe Julia Skripal”

Vetë Putin foli nga Moska, gjatë një forumi për energjinë. “Skripal është një tradhtar. Ai u kap, u ndëshkua, kaloi thuajse 5 vjet në burg,  ne e liruam dhe ja çfarë ndodhi”.

Çimentimi i pushtetit, Botërori dhe ndërhyrja në zgjedhjet amerikane

Putin fitoi bindshëm në zgjedhjet e radhës duke siguruar një tjetër mandat, të katërtin si president, deri në vitin 2024.  

Rusia organizoi Kupën e Botës në futboll. Miliona tifozë nga e gjithë bota zbritën në rrugët e qyteteve ruse, duke brohoritur për skuadrat e tyre. Nën drejtimin e trajnerit Stanislav Cherchesov, vendi organizator arriti çerekfinale, edhe pse Rusia renditej ndër skuadrat më të dobëta të evenimentit botëror. Ky ishte rezultati më i mirë që Rusia kish arritur që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Autoritetet amerikane përcaktuan se Rusia është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, kur Donald Trump fitoi garën për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë, duke vënë kështu në pikëpyetje marrëdhëniet SHBA-Rusi, pavarësisht faktit se rusët i mohuan këto akuza. Presidenti Donald Trump dhe Vladimir Putin diskutuan për këtë çështje gjerë e gjatë, në një takim kokë më kokë, shumë më shumë nga sa ishte planifikuar nga stafet respektive. Dy liderët folët për mediat nga Helnsinki.

“Presidenti Trump e përmendi përsëri çështjen e ashtu-quajtur si ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane. Mu desh të ripërsërisja atë çka kam thënë disa herë, përfshirë këtu edhe gjatë takimeve private me z.Trump. Rusia nuk ka ndërhyrë kurrë dhe as do të ndërhyjë ndonjëherë në çështjet e brendshme të SHBA-ve, përfshirë edhe proceset zgjedhore”

Vladimir Putin

Pas shumë përplasjeve e kritikave ndër vite me vendet perëndimore, Rusia, nën drejtimin e Putin, u përpoq të krijojë marrëdhënie të ngushta me Lindjen. Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping, shfaqën miqësinë mes tyre në çdo takim publik, dhe më shpesh në ato informale.

“Lufta nukleare është padyshim një katastrofë për botën. Por e përsëris, ne nuk mund të jemi ata që e nisëm. Po. Në këtë situatë ne presim për këdo që të përdorë armët nukleare kundër nesh, ne nuk do të bëjmë asnjë hap. Por në këtë rast, agresorët duhet të dinë se hakmarrja është e pashmangshme, se ata do të asgjësohen dhe se ne jemi viktimat e agresionit. Ne do të shkojmë në parajsë ndërsa ata thjesht do të bien të vdekur”

Vladimir Putin

Bashkimi me “rusët e bardhë”

Akexander Lukashenko, lideri veteran bjellorus, në pushtet që prej vitit 1994, përgjatë viteve kish krijuar marrëdhënie të ngushta e miqësore me Vladimir Putin. Marrëdhëniet mes dy vendeve më herët kishin qenë të ndërlikuara. Rusia dhe Bjellorusia e kishin diskutuar për thuajse 2 dekada integrimin ose më saktë idenë e një shteti të bashkuar por kanë dështuar në dakordësimin e çështjeve kyçe, përfshirë këtu edhe krijimin e një monedhe të përbashkët.

Oligarkët

Departamenti Amerikan i Thesarit publikoi një listë me biznesmenët më të mëdhenj rus, të quajtur “lista e oligarkëve”, e hartuar si pjesë e paketës së sanksioneve kundër Rusisë. Putin tha se ky ishte një akt aspak miqësor, përkundrazi. Zyrtarët shtetërorë dhe biznesmenët në listë, e cilësuan atë një sulm ndaj rusëve, që një vit më parë kishin kryesuar listën e revistës Forbes, për më të pasurit e botës. Biznesmenët rusë ishin përballur ndërkohë me sanksionet në aspektin personal dhe ndaj kompanive të tyre, sanksione të vendosura nga perëndimi. Në fjalimet e tij, Putin shpesh i referohet sanksioneve ndaj Rusisë si “garë e pandershme ndaj praktikave tregtare”.

Në vitin 2011, Putin zbuloi “Night Hockey League” për të promovuar sportin në Rusi. Imazhet e Putin duke luajtur hokey përkrah ish legjendave të këtij sporti dhe politikanëve rusë, janë ndër imazhet që shfaqen më shpesh në mediat ruse.