Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 14%
  • Më i zënë në punë 71%
  • Ndihmon në shtëpi 14%

Vijon kriza SHBA-Iran, nis gjyqi kundër Trump dhe Putin “blindon” pushtetin

Nga A2 CNN
18 Janar 2020, 12:13 | Aktualitet

Një javë më parë, skenari i një lufte të re në Lindjen e Mesme pushtoi titujt dhe mendjet e qytetarëve në të gjithë botën. Por, edhe më optimistët, ata që besuan se zgjidhja ushtarake e një konflikti, i përket një kohe të kaluar tashmë, provuan më shumë se kurrë ndjesinë se po jetojmë në një botë tepër të rrezikshme.

Një botë të mbështetur në themele të brishta sigurie, gati për ta humbur ekulibrin e balancat e krijuara me aq mund. Lufta u shmang, të paktën për momentin, me Shtetet e Bashkuara që dhanë sinjale për dialog dhe Iranin që bëri hapa prapa. Madje, ky i fundit e pranoi, përballë provave të pakontestueshme, se kishte rrëzuar avionin ukrainas me pasagjerë, të cilin e kishte ngatërruar me një raketë amerikane kruz.

Tragjedia që i kushtoi jetën 176 personave, shumica e të cilëve iranianë dhe kanadezë, i zemëroi iranianët, të cilët po protestojnë prej ditësh kundër regjjimit. Revoltës dhe pakënaqësive në rritje, udhëheqësit e vendit po u përgjigjen me premtimin se do të çojnë para drejtësisë përgjegjësit, me arrestime e apologji të ndjera për gjithçka ndodhi.

Pavarësisht se me tone më të zbutura, deklaratat e shkëmbyera gjatë javës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, kanë treguar se do te ishte naivitet të besoje në një përmirësim të mundshëm të raporteve.

Teherani vazhdon thirrjet për largimin e forcave të huaja nga rajoni, ndërsa Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë Teheranin të tregojë kujdes. Çështja e marrëveshjes bërthamore me Iranin u kthye gjithashtu në vëmendje, me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe që denoncuan zyrtarisht shkelje të kushteve nga ana e Iranit.

Ja disa prej reagimeve të këtyre ditëve:

"Mos i vrisni protestuesit tuaj. Mijëra janë vrarë ose burgosur nga ju dhe bota po vëzhgon. Më e rëndësishme, SHBA po vëzhgon".

Donald Trump, President i SHBA

"Trupat amerikane sot janë të pasigurta në rajon dhe duhet të largohen, ndërsa ato europiane mund të jenë të rrezikuara nesër. Shtetet e Bashkuara destabilizojnë Lindjen e Mesme dhe duhet të kërkojnë falje për krimet e kaluara".

Ajatollahu Ali Khamenei

"I kërkoj Iranit të na përfshijë plotësisht në hetimet për zbardhjen e shkakut të aksidentit dhe të angazhohet bashkë me partnerët ndërkombëtarë për zbutjen e tensioneve në rajon".

Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë

“Ne e dimë se çfarë po ndodh me programin bërthamor të Iranit. Irani mendon se mund të ndërtojë armë bërthamore, por ne nuk do ta lejojmë”.

Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

“Veprimet e Iranit nuk na lenë zgjidhje tjetër veçse të raportojmë shqetësimet tona në sajë të mekanizmit të mosmarrëveshjes në ujdinë e nënshkruar në vitin 2010”.

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe


Ky hap, sipas analistëve, autorizon OKB-në të marrë masa kundër Iranit dhe rrezikon të çojë ujdinë pranë kolapsit të plotë.

CNN, pamje e rrëfime ekskluzive të momenteve të sulmit të Iranit në bazën Al Asad

Momentet kur raketat iraniane goditën një bazë ushtarake amerikane në Irak ishin tmerruese për ushtarët e Shteteve të Bashkuara. Gazetarja e CNN, Arwa Damon është e para që hyri në bazën e sulmuar të Al Asad, duke hedhur një vështrim ekskluziv në atë që ndodhi, natën kur bota anoi kah luftës më shumë se kurrë vitet e fundit.

Forcat amerikane nuk janë mësuar të goditen nga një sulm i tillë. Zakonisht, ato i ndërrmarin kundër të tjerëve. Roland Sweetings tha: “U frikësova shumë për momentin, por ishte diçka për të cilën ne ishim të përgatitur”. 

Të përgatitur për ndonjë sulm nga toka, nga milicitë aleate të Iranit, të përgatitur për mortaja dhe raketa, por kjo bazë nuk është e pajisur kundër raketave balistike. Çdo natë tjetër, disa prej 2500 trupave dhe kontraktorëve amerikane do të kishin qenë në zonat e goditura. Koloneli Tim Garland tha: “Raportimet për raketa balistike filluan të vinin disa orë para sulmeve. Në këtë pikë ne po përpiqeshim shumë të gjenim mënyrat e duhura për t’u mbrojtur. Vendosëm të krijonim hapësira midis njerëzve dhe i çuam ata nëpër bunkerë”. 

Bunkerët ku u strehuan disa prej ushtarëve janë ndërtuar nga ish-armiku i përbetuar i SHBA.

Arwa Damon: Është një bunker i kohës së Sadam Husein?

Staci Coleman: Po. Menduam se do të ishim të sigurtë këtu, pasi ai është iduar për t’i rezistuar raketave. 

Në 1 e 34 të mengjesit mbërritën raketat e para. Staci Coleman i Air Force tha: “Sa herë që një raketë godiste, dukej sikur dyert fundoseshin”.

Dhjetëra trupa vazhdonin të qëndronin jashtë, në pozicione për mbrojtjen e bazës. Ekzistonte ende rreziku për raketa të tjera, mortaja dhe një sulm tokësor. Pilotët ishin vendosur në stacionet e kontrollit të dronëve. Flakët përpinë godinën ku jetonte ekipi i dronëve. 30 trupa do të kishin qenë duke fjetur nëse nuk do të ishin gati. Të tjerë nxituan rreth bazës, ndërsa raketat binin me breshëri, për të parë nëse dikush mund të ishte plagosur.

Përgjatë perimetrit të bazës, ushtarë të rinj luftuan instiktin për t’u larguar duke qëndruar në kullat e rojes. Specialisti Kimo Keltz tregon: “Ishte vërtet diçka e frikshme në fillim, por ne e dinim se çfarë të bënim. Duhet të qëndronim të fokusuar në gjithçka po ndodhte pas nesh”. 

Ishte një natë si asnjë tjetër që kishin përjetuar, në pozicion mbrojtjeje për gati dy orë, të pamundur për t’u përgjigjur. Me zbardhjen e ditës, frika se do të zbulonin viktima u zëvendësua me gëzimin se askush nuk ishte vrarë.

Rreshteri Dane Kvasager kujton: “Përjetuam një ndjesi të ngrohtë në zemër kur pamë se të gjithë shokët e familja jonë këtu ishte mirë. Pati shumë përqafime, shumë lot”. 

Baza vazhdon të jetë në gjendje alarmi, mensa është e hapur, por njerëzit hanë diku tjetër për të shmangur grumbullimet masive.Ushtria thotë se është gati për gjithçka mund të vijë më pas, ndërsa milicitë pro Iranit në terren zotohen për hakmarrje. 

Gjuraj: Shqipëria nuk është e rrezikuar

Për situatën aktuale me Iranin, politikat e Donald Trump në Lindjen e Mesme, por edhe pasojat e vendimit të Shqipërisë për dëbimin e dy diplomatëve iranianë të kosideruar si tejet të rrezikshëm për sigurinë, foli ish-ambasadori shqiptar në Izrael dhe zv/rektori i Universitetit Europian të Tiranës, zotin Tonin Gjuraj.

“Situata është zbutur, megjithatë mund të ketë episode të tjera. Rreziku i përplasjes së drejtpërdrejtë ka kaluar, por si Trump, ashtu edhe Irani, janë të paparashikueshëm. Politika e Trump në Lindjen e Mesme është roli i një sherifi, ku, sipas tij, asnjë qeveri nuk është imune”, tha Gjuraj.

Në lidhje me dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga ana e Shqipërisë, Gjuraj tha: “Irani e përdor propagandën shumë mirë. Deklarata e Khameneit për vendin tonë janë në nivel propagandistik. Ne nuk rrezikohemi pasi jemi vend i NATO-s. Ditët e fundit nuk ka pasur rritje të tensionit, ka rënë niveli retorik. Duhet të jemi vigjilentë dhe çdo veprim tonin duhet ta kemi në përputhje me SHBA dhe BE”.

Nis procesi gjyqësor kundër Trump në Senat

Irani e zhvendosi vëmendjen nga problemet e mëdha më të cilat Presidenti amerikan Donald Trump përballet në shtëpinë e tij. Por, Dhoma e Përfaqësuesëve e kontrolluar nga demokratët u kujdes t’i kujtonte Presidentin betejën që pret pas dyerve të Kongresit, atë të “impeachment”. Dy akuzat zyrtare kundër Trump, ato për abuzim të pushtetit dhe pengim të Kongresit, ju dorëzuan Senatit, një veprim që i hapi rrugën procesit të tretë gjyqësor për shkarkimin e një presidenti në historinë amerikane.

Menjëherë më pas, 100 ligjvënës të Senatit u betuan si juristë të procesit të “impeachment”, ndërsa 7 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve morën rolin e prokurorëve. Gjyqi, i cili nis në 21 janar, do të drejtohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts. Senati Amerikan kontrollohet nga republikanët dhe ka pak gjasa që Presidenti të shpallet fajtor. Kryetari i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, e cilësoi këtë një moment të vështirë për vendin.

Lev Parnas, biznesmeni amerikan me origjinë nga ish-Bashkimi Sovjetik, është një prej aktorëve kyç të skandalit të Ukrainës, që çoi në “impeachment” të Presidentit amerikan Donald Trump. Bashkë me Igor Fruman, ai ishte njeriu që ndihmoi avokatin personal të Trump të nxiste nisjen e hetimeve kundër rivalit të Trump, Joe Biden, nga autoritetet e Ukrainës.

Në një intervistë për Anderson Cooper të CNN, Parnas tha se të gjitha përpjekjet në Ukrainë kishin të bënin me zgjedhjet e 2020-s dhe garantimin e një mandati të ri për Presidentitn Trump: “Gjithçka u bë ekskluzivisht për të, por unë mendoja se ishte lideri ynë, shefi, presidenti. Gjithçka lidhej me zgjedhjet e 2020-s, për t’i garantuar 4 vite të tjera.

Tronditet politika ruse. Putin ndryshon Kushtetutën për të qëndruar në pushtet

Vladimir Putin bëri këtë javë lëvizje befasuese në politikën ruse, për të garantuar qëndrimin në pushtet, madje edhe pas përfundimit të mandatit në vitin 2024. Putin dha një lajm të rëndësishëm, të projektuar edhe në një godinë gjigande në Moskë, se Kushtetuta do të reformohej. Ndryshimet synojnë të forcojnë pozitat e Parlamentit e kryeministrit, e të dobësojnë ato të Presidentit: “Ndryshimet e propozuara do të sjellin reformim të rëndësishëm të sistemit politik e të roleve të autoriteteve ekzekutive, legjislative e të drejtësisë”.

Dhe sapo Putin propozoi ndryshimet, e gjithë qeveria u dorëhoq, përfshirë kryeministrin Dmitri Medvedev. Të gjithë ata që e lexuan dorëheqjen si indinjim të kryeministrit, u gabuan. Medvedev dhe ministrat e tij, thjesht dolën nga skena, për momentin, për t’ia lehtësuar gjërat Putinit. Ky i fundit nuk mundet të kandidojë për një madat tjetër si President, po askush nuk e ndalon të bëhet kryeministër ose kryetar i Këshillit të Lartë Shtetëror, institucione që me ndryshimet në Kushtetutë do të fuqizohen ndjeshëm. Putin ka qenë në pushtet prej 20 vitesh, më shumë se çdo diktator tjetër i Kremlinit, përveç Josif Stalinit. Kundërshtari më i zjarrtë i Putinit, opozitari Aleksei Navalni, shkroi në Tëitter se të gjithë ata që mendonin se Presidenti kishte filluar shkëputjen nga pusheti, ishin idiotë. Sipas tij, qëllimi i vetëm i Putinit dhe regjimit të tij ishte të mbeten udhëheqësit e përjetshëm.

Po aq i papritur ishte njeriu që Putini zgjodhi si pasardhës të Medvedevit. Ish-shefi i Shërbimi Federal të Taksave, Mikhail Mishustin u konfirmua nga Duma Shtetërore si kryeministër i ri, por deri më tani ai ishte krejtësisht i panjohur në skenën politike, e madje nuk kishte as faqe të Ëikipedias në gjuhën angleze. Një teknokrat, i vlerësuar për reformimin e sistemit fiskal, ka dy doktoratura në ekonomi, është pianist dhe lojtar hokeji. Nuk dihet ende nësë do të jetë figurë e përkohshme apo nëse Putin e ka zgjedhur si pasaardhës të tij. 

Shpallen kandidaturat për çmimet Oscar

Hollivudi dhe e gjithë bota janë përfshirë nga ethet e ngjarjes më të shumëpritur në industrinë kinematografike, atë të çmimeve Oscar. Akademia e Filmit dhe Shkencave në Shtetet e Bashkuara shpalli këtë javë emrat e pretendentëve për statuetat e shumëlakmuara. “Joker” kryeson listën e kandidaturave për çmime Oscar, me plot 11 të tilla. Në garë për filmin më të mirë janë gjithashtu “Irishman” dhe “1917”, ndërsa në kategoritë e aktorëve më të mirë listohen Joaquin Phoenix, Leonardo DiCaprio, Charlize Theron dhe Renee Zellwegger. 

Kush triumfon në Oscar? Përmeti: Gara, mes ‘‘Parasite’’ dhe ‘‘1917’’

Por, cilët janë pretendentët favoritë? Biseduam me kineastin Genc Përmeti, i cili beson se gara për filmin më të mirë do të zhvillohet mes filmit koreano-jugor “Parasite” dhe “1917”.

“Lufta do të jetë mes këtyre dy filmave. “Irishman” mendoj se mund të fitojë skenarin më të mirë të përshtatur, ndërsa “Once Upon a Time in Hollywood” do të fitojë skenarin më të mirë origjinal. Joaquin Phoenix do të fitojë çmimin e aktorit më të mirë mendoj, ndërsa atë të aktores më të mirë do ta rrëmbejë Renee Zellwegger”, thotë Përmeti.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani