Marrëveshja politike, Patozi skeptik: U ulën për të ndrequr gabimet e veta – A2

Marrëveshja politike, Patozi skeptik: U ulën për të ndrequr gabimet e veta

PATOZI KORCE frame 1135 1100x620
Video

Astrit Patozi e quan të vonuar marrëveshjen që uli palët në tryezën e reformës zgjedhore. Nga Korça, ku takoi mbështetësit e Bindjes Demokratike, ai tha për A2 se kërkonte të mos e paragjykonte rezultatin, ndonëse nuk e fshehu skepticizmin.

“Është lajm i mirë për qytetarët shqiptarë që politikanët kryesorë ulen me njëri-tjetrin dhe dialogojnë, por është ende shumë shpejt për të folur për rezultat sepse nuk ka asnjë shenjë që kjo tryezë të prodhojë një produkt pozitiv për atë që vendi ka nevojë”, tha Patozi.

Sipas koordinatorit të Bindjes Demokratike, vendit i duhet një shkundje e fortë politike, por nuk e gjen këtë mes qëllimeve të Këshillit Politik.

“Shqipëria ka nevojë për ndryshim të thellë ndërkohë që ata që janë ulur në atë tavolinë janë autorët e krizës. Ata janë ulur me shpresën se mund të ndreqin një gjë që e kanë shkaktuar vetë”, shton Patozi.

Mbështet nismën “Thurje” për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, ndonëse nënvizon se Bindja e ka propozuar atë muaj më parë. Pikërisht sistemi do të jetë peshorja e Astrit Patozit për këtë marrëveshje.

“Në rast se kjo tryezë do të ketë një sukses, duhet që ata që janë ulur aty, përveç përgjegjësive që kanë, duhet të marrin përsipër që këtë që kemi duhet ta ndryshojmë”, u shpreh Astrit Patozi.

Për një gjë ai është i sigurt: Pavarësisht rregullave të lojës, Bindja do të marrë pjesë në zgjedhje.