Shkolla e Doktoraturës, një profesor vetëm 3 udhëheqje, po llogariten kostot – A2

Shkolla e Doktoraturës, një profesor vetëm 3 udhëheqje, po llogariten kostot

UNIVERSITETET PER DOKTORATURAT frame 2106 1100x620
Video

Pas 5 vitesh mungesë shkollat e larta publike po përgatiten për rihapjen e Doktoraturës. Universitetet po llogarisin kuotat për doktorantët e rinj, por dhe kostot për financimin e kësaj shkolle.

Ndryshe nga më parë, profesorët nuk kanë të drejtë të udhëheqin më shumë se tre kandidatë. Referuar kritereve të ligjit te ri, në fakultetin e Ekonomisë pritet të ketë 73 kuota për doktoraturë.

“Profesori kishte të drejtë të udhëhiqte 7 kandidatë njëkohësisht dhe profesori i asociuar 5. Me vendimin e ri janë vetëm 3 kandidatë që mund të udhëheqë profesori dhe 2 profesori i asociuar dhe janë përjashtuar kategoria e profesorëve që nuk japin mësim “full time” në Universitet. Në vitin e parë nuk mund t’i japësh të gjithë kuotat sepse këto janë kuota për kohën kur vazhdon doktoratura dhe ne në fakultetet tona i kemi bërë këto llogaritje dhe vitin e parë na takojnë afërsisht 73 kuota”, shpjegon dekani Kule

Dekani Dhori Kule sqaron se të parët që do e përfitojnë doktoraturën janë pedagogët e brendshëm, të cilët kanë qenë në pritje të rihapjes së kësaj shkolle.

Ndërsa fakulteti ka nisur llogaritjet e kostove dhe gjetjen e burimeve financiare për mbulimin e doktoraturave.

“Është buxheti i universitetit i cili do maksimizohet për pedagogët e brendshëm. Janë marrëveshjet kërkimore dhe ne fatmirësisht kemi marrëveshje me shumë struktura. Janë edhe projektet kërkimore që mund të bëhen me institucione që kanë nevojë, aktorë të ndryshëm, sipërmarrje që duan një kërkim të caktuar dhe paguan për të”, shtoi Kule.

Para 2015, shkolla e Doktoraturës i kushtonte një kandidati 200 mijë lekë të rinj. Tashmë nuk dihet se sa do të shkojë tarifa, pasi me ligjin e ri, financimet për doktoraturën duhet të sigurohen nga vetë universiteti përmes burimeve dhe projekteve të ndryshme për kërkimin shkencor.