Energjia nga dielli, hapet gara për parkun fotovoltaik në Karavasta – A2

Energjia nga dielli, hapet gara për parkun fotovoltaik në Karavasta

PARKU FOTOVOLTAIK.duplicate frame 0 1100x620
Video

Qeveria e ka shpallur garën për parkun fotovoltaik të Karavastasë zyrtarisht të hapur.

Investitorët e interesuar kanë afat deri më 16 mars për të aplikuar në ankandin ndërkombëtar, ndërsa afati për lidhjen e kontratës është parashikuar data 8 maj e këtij viti.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se zbatimi i këtij projekti me vlerë 100 milionë euro pritet të ketë ndikim të madh, jo vetëm në zonat ku do të ngrihet impianti, por do të shërbejë si një instrument për të ulur importin e energjisë.

“Shtrihet në zonën e Remasit në Divjakë dhe aty kemi 122 hektarë, ndërkohë në zonën e Fierit, kemi në Libofshë 76 hektarë. Ndërtimi i këtij parku dhe sigurisht investimi i rëndësishëm që do të ndodhë do të ketë ndikim direkt në komunitet. Diversifikimi i burimeve energjetike do të ndihmonte që të ulnim blerjet nga importi”, u shpreh ministrja Balluku.

Teksa vlerësojnë qasjen drejt energjive fotovoltaike, ekspertët e energjisë vënë theksin tek respektimi i afateve të kontratave për të bërë të zbatueshëm këto projekte.

“Ky është një projekt që shënon një arritje të re dhe shpresoj që do të sjellë dhe një çmim më të mirë të energjisë dhe një kosto më të ulët për konsumatorin. Ky projekt do të prodhojë rreth 150 mijë GW/orë energji në vit, kështu që bën një proporcion të rëndësishëm të asaj që është konsumi i përgjithshëm i Shqipërisë”, u shpreh eksperti Lorenc Gordani.

Parku fotovoltaik i Karavastasë do të ketë një kapacitet të instaluar prej 140 MW. Ky është projekti i dytë fotovoltaik për të cilin qeveria ka hapur një garë ndërkombëtare, pas atij të Akërnisë, projekt i cili nuk ka nisur ende punën, duke mbetur peng i negociatave të gjata me kompanitë private.