Korçë, të rinjtë gjithmonë e më larg librave

Korça, qyteti i kulturës dhe serenatave, po përjeton një krizë të vërtetë sa i takon leximit të librave. Në mënyrë të veçantë kjo dukuri shfaqet te të rinjtë dhe studentët, të cilët janë mjaft indiferente ndaj të lexuarit fizik të librit.

Këtë fakt e pohojnë librashitëset e qytetit, por edhe drejtuesja e bibliotekës së qytetit, të cilat konfirmojnë rënie të konsiderueshme jo vetëm të shitjes së librave, por edhe të kërkesave për libra në bibliotekë.

“Shoh që mosha 50-60 vjeçare e shohin si shumë të rëndësishëm leximin, ndërkohë që studentët e shohin librin si mundësi për t’u argëtuar”, thotë Jorida Tollkuçi, drejtore e Bibliotekës Korçë.

E njohur si një problematikë globale, për shkak të internetit dhe televizionit, që ofrojnë informacionin e shpejtë, një tjetër faktor që ka ndikuar në largimin e të rinjve me librin janë edhe çmimet e larta dhe taksat që rëndojnë mbi librin.

Përballë kësaj situate, sfida e bibliotekave të qyteteve, por edhe atyre universitare dhe institucioneve arsimore, është afrimi sa më shpejt i të rinjve te të lexuarit fizik të librave.