100 vjet parlamentarizëm, a ka ardhur në përmirësim apo ulje niveli i parlamentit? – A2

100 vjet parlamentarizëm, a ka ardhur në përmirësim apo ulje niveli i parlamentit?

e1 1 1100x620
Video

Parlamentarët e parë ishin 37. Në 1920-n, Kongresi i Lushnjës krijoi Senatin, më vonë Këshilli Kombëtar si organ legjislativ, i cili kishte tagër të shkarkonte dhe emëronte qeverinë dhe të ushtronte kontroll ndaj saj.

Por edhe pse jetëshkurtër, legjislativi i parë shqiptar, që u shpërnda në dhjetor të po atij viti, për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri, sipas kryetarit të Kuvendit, Gramor Ruçi, shërben si frymëzim.

Por megjithatë, kryeparlamentari nuk preferon të bëjë krahasime me Kuvendin aktual. Por paraardhësit e tij, Dokle dhe Pëllumbi, trendin e shohin në rënie. “Kohët e fundit ka ardhur në ulje dhe kjo nuk është gjë e mirë. Prandaj, ka ardhur momenti që të zgjidhen njerëzit që kanë kapacitete intelektuale, ekspertë të fushave të ndryshme dhe jo thjesht njerëz partiakë”, shprehet Dokle.

“Unë do të bëjë krahasimin me kohën që isha unë dhe mendoj se në kohën që isha unë, niveli ishte më i lartë se sa ky i sotmi”, shprehet Pëllumbi.

Erjon Braçe dhe Valentina Duka kanë 2 përvoja të kundërta në parlamentin postpluralist. I pari është një ndër deputetët më jetëgjatë, ndërsa historiania, përvojën politike e pati pak më shumë se 1-vjeçare.

“Në atë kohë nuk kishte nevojë për ligj dekriminalizimi sepse nuk kishte të kriminalizuar në parlamentin shqiptar. Sot, mund të ketë edhe njerëz pak të shkolluar”, shprehet Duka.

“Sa shkollë kishte njëri, sa shkollë kishte tjetri, si dinte të fliste njëri, si dinte të fliste tjetri, nuk me intereson. Mua më interesojnë vendimet që merren. Dhe vendimet që janë marrë në kohë të ndryshme në parlamentin e Shqipërisë gjatë këtyre 100 viteve, natyrisht kanë bërë diferencën nga njëri te tjetri”, thotë Braçe.

Një tjetër problematikë e konstatuar në parlamentet shqiptare nga historiani Bernd Fisher, është mungesa e dialogut. “Rruga përpara duhet të jetë me më shumë negociata serioze mes dy partive. Ky ka qenë një problem me politikën shqiptare që në fillim të pluralizmit. Partitë trajtojnë njëra-tjetrën ende sikur janë në luftë. Kjo duhet kaluar”, u shpreh Fisher.

Parlamenti i dalë nga Kongresi miratoi dhe Statutin e Lushnjës, që ishte në fakt një kushtetutë.