Homazhet për 21 Janarin, PS: Kush ka faturë për të larë me drejtësinë, nuk shpëton – A2

Homazhet për 21 Janarin, PS: Kush ka faturë për të larë me drejtësinë, nuk shpëton

balla bushati familjaret 1100x620
Video

Për të parin vit, kryeministri Edi Rama, për shkak të axhendës ndërkombëtare, nuk ishte në bulevard për të vendosur karafilat e kuq në secilën pllakatë të artë.

Shumë prej familjarëve të viktimave ishin të rezervuar. Heshtjen e kësaj dite e thyen Ana Veizi, vajza e Ziver Veizit. Për A2, ajo thotë se ka ende shpresë te organet e reja të drejtësisë.

“Kjo është një ngjarje shumë e ndërlikuar, prandaj drejtësia nuk është vendosur akoma. Megjithatë, unë kam besim ende te drejtësia, kam besim te SPAK-u. Besoj se drejtësia do të përshpejtohet tani”, shprehet Ana.

Protagonistët e protestës së 21 janarit mendojnë se janë ende në borxh me familjarët e viktimave.

Petro Koçi theksoi: “Mendoj se është shteti borxhli. Një element i rëndësishëm i shtetit është drejtësia, që mbetet e vonuar dhe nuk ka bërë asgjë për të ndëshkuar ata që dhanë urdhrat”.

Ndërsa Pjerin Ndreu u shpreh: “Ngjarjet e rënda kriminale që nuk janë zbuluar për shkak të implikimit të politikës, me drejtësinë e re do të zbardhen të gjitha. Kush ka faturë për të larë, do ta lajë. Nuk ka shpëtim”.

Më 21 janar 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga protesta e thirrur nga socialistët atëherë në opozitë, u vranë 4 protestuesit Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Kur erdhi në pushtet, qeveria Rama vendosi t’i dëmshpërblejë familjet e viktimave.