Shehi: Brenda opozitës ka elementë që presin të “rrëshqasim” drejt vitit 2021 – A2

Shehi: Brenda opozitës ka elementë që presin të “rrëshqasim” drejt vitit 2021

shehi dashi 1100x620
Video

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, i ftuar në studion e “Ditari” në A2 deklaroi se “palëve u mungon vullneti politik, pasi po të kishte vullnet, Reforma Zgjedhore mbyllet për dy javë”.

Sipas tij, dy muaj janë shumë për një reformë që nuk prek sistemin: “Unë do ta kisha ndryshuar me kohë sistemin, por kemi bërë një kompromis ku, në shkëmbim të zgjedhjeve të parakohshme, kemi pranuar që të hyjmë në zgjedhje me çfarëdolloj sistemi. Nëse hyjmë në zgjedhje në 2021, mendoj se ka kohë që të ndryshohet sistemi. Mazhoranca nuk do zgjedhje të reja, por edhe brenda opozitës ka elementë që presin që dalëngadalë të “rrëshqasim” drejt vitit 2021. Mungon vullneti politik, pasi po të kishte vullnet, Reforma Zgjedhore mbyllet për dy javë. Janë gjëra që janë diskutuar më parë. Nëse duhen dy muaj për t’i hapur rrugën marrëveshjeve të tjera politike, kjo është çështje tjetër. Por, për një reformë që nuk prek sistemin, dy muaj janë shumë dhe ia kam bërë të qartë edhe kolegëve opozitarë”.

“Të shikojmë se si do të shkojë Reforma Zgjedhore, edhe pse e di fort mirë se nuk mjafton ajo për të bërë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet polici e depolitizuar, ambient mediatik që të mos jetë në shërbim të qeverisë dhe një ambient që të trembë kriminelët që mbledhin vota”, nënvizoi kreu i LZHK-së.

Në lidhje me 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar, Shehi theksoi: “Parlamentarizmin tonë e shoh me shumë trishtim, pasi parlamentarizmin tonë e përfaqëson zoti Ruçi. Me gjithë respektin për të, por është ish-ministër i Enver Hoxhës. Edhe dje, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë u votua këshilltari i Edi Ramës. Dhe ky Parlament e votoi me 100 vota”.

“Duhet një revolucion te të gjitha institucionet e shtetit dhe duhet edhe evolucion kulturor. Ky popull meritonte t’i ishte afruar Evropës me shpejtësi tjetër. Është një vend që ishte i ri dhe po plaket nga politikat e këqija. Në fillim të viteve ’90, mburreshim me pasuritë tona dhe me faktin që ishim popull i ri. Sot nuk e kemi më demografinë. Të gjitha proceset i çojnë përpara njerëzit dhe ne i shpërdoruam burimet njerëzore që kishim”, shtoi Shehi.