Virusi kinez, mjekët konfirmojnë se transmetohet nga njeriu te njeriu! – A2

Virusi kinez, mjekët konfirmojnë se transmetohet nga njeriu te njeriu!

VIRUSI KINE 21 KR frame 0 1100x620

Një person i katërt vdiq në Kinë si pasojë e virusit të ri që po përhapet me shpejtësi rreth vendit, ndërsa autoritetet konfirmuan se ai mund të transmetohet nga personi në person.

Viktima e fundit e llojit të ri të “Coronavirusit” që shkakton pneumoni është një 89-vjeçar që jetonte në Wuhan, epiqendra e epidemisë. Më shumë se 200 raste të reja janë raportuar rreth qyteteve të mëdha në Kinë, përfshirë Pekinin dhe Shangain. Komisioni kombëtar i shëndetësisë në Kinë, konfirmoi për herë të parë të hënën se virusi transmetohet mes njerëzve dhe se dy persona në rajonin e Guangdong ishin infektuar në këtë mënyrë.

“90 përqind e rasteve lidhen me Wuhani-n. Për shembull ata që kanë udhëtuar apo vijnë nga Ëuhani. Karakteristika e dytë është se transmetimi nga njeriu në njeri është konfirmuar”, tha Zhong Nanshan, ekspert.

OBSH po konsideron shpalljen e emergjencës shëndetësore ndërkombëtare lidhur me virusin, ashtu siç bëri me gripin e derrit dhe Ebolan.

Vendimi do të merret në një takim ditën e mërkurë. Virusi u identifikua fillimisht në fund të vitit të kaluar, në Wuhan, një qytet me 11 milion banorë në qendër të Kinës. Sipas OBSH, deri më tani në Kinë janë konfirmuar 218 raste, 2 në Tajlandë, një në Japoni dhe një tjetër në Korenë e Jugut.

Personat e infektuar sapo ishin kthyer nga Wuhan. Autoritetet në shumë vende, përfshirë Australinë, Singaporin, Hong Kongun, Tajvanin dhe Japoninë po i nënshtrojnë pasagjerët që vijnë nga Wuhani ndaj skanimeve të posaçme.