Tarifa, konviktet “fasadë” dhe karta e studentit me ulje për luks, studentët sërish në protestë – A2

Tarifa, konviktet “fasadë” dhe karta e studentit me ulje për luks, studentët sërish në protestë

Studentët janë rikthyer sërish në protestë. Disa qindra prej tyre janë mbledhur këtë të mërkurë para godinës së Universiteti i Tiranës, bashkë me pankartat “meme”, që ironizojnë marrëveshjen e arritur vitin e kaluar pas protestave masive që nisën në dhjetor 2018.

Ata thonë se kanë dalë për të protestuar pasi, sipas tyre, një pikë e paktit për universitetin nuk është zbatuar. Bëhet fjalë për tarifën e shkollimit. Sipas një vendimi të qeverisë, të gjithë studentët që kanë mesatare mbi 6, por kanë qofte edhe një provim të mbartur, tarifën ta paguajnë të plotë dhe jo të përgjysmuar.

Ndërsa ata që nuk kanë asnjë provim të mbartur dhe kanë mesatare mbi 6 tarifën e shkollimi e paguajnë të përgjysmuar, ndërsa ata me mesatare mbi 9 përfitojnë bursë të plotë nga shteti.

Disa prej tyre madje thonë se të 8 pikat e paktit për Universitetin nuk janë plotësuar. Ata thonë se tarifa e shkollimit është paguar e plotë dhe asnjë nuk e ka paguar të përgjysmuar.

“Konviktet janë vetëm fasadë, karta e studentit na doli mashtrim”, thotë njëri prej tyre. “Karta e studentit ka ulje në dyqanet Armani dhe ulje në fotokopjet e letrave. Nuk na ka dhënë ulje te bibliotekat. Kemi vetëm ulje për gjera luksi”.

Një tjetër student, i cili thotë se familja e tij, e cila është me përkrahje sociale, përsëri duhet të paguajë tarifën e plotë. “Unë jam rritur në familje me një prind, ka edhe një vëlla me aftësi të kufizuara, por përsëri duhet ta paguajë tarifën e plotë”, thotë ai. “Të ardhurat e familjes sime janë më të ulëta se ajo që merr mamaja ime për kujdestarinë e vëllait. Edhe vjet tarifa është paguar njëlloj pasi na u tha që pakti për Universitetin hynte në fuqi për këtë vit. Do të vazhdojmë të protestojmë çdo ditë”.