Kina në krizë, tri qytete të izoluara, anulohet Viti i Ri dhe njerëzit përleshen për ushqime

Publikuar më: 23/1/2020, ora 14:49

Kina në krizë, tri qytete të izoluara, anulohet Viti i Ri dhe njerëzit përleshen për ushqime

Publikuar më: 23/1/2020, ora 14:49

Mediat ndërkombëtare raportojnë se një qytet i tretë në Kinë është futur në karantinë, pas Wuhan dhe Huanggang, ndërsa autoritetet në Pekin kanë anuluar festimet madhështore të Vitit të Ri kinez në një përpjekje të radhës për të mbajtur sa më të izoluar koronavirusin që po përhapet me shpejtësi në vend.

Festimet, që zakonisht në Pekin shoqërohen me fishekzjarrë spektakolarë dhe ngjarje të tjera argëtuese, tërheqin milionë banorë, por duket se frika për përhapjen e virusit vdekjeprurës që deri tani i ka marrë jetën 17 personave ka detyruar shtetin të marrë vendimin drastik.

Pamje dramatike kanë dalë në rrjetet sociale nga brenda qytetit të parë të izoluar, Wuhan, ku banorët përleshen për ushqime, që po rrallohen gjithnjë e më shumë. Shkencëtarët e OBSH mendojnë se nga një person virusi mund të përhapet në 600 të tjerë me lehtësi.

Masa po merren edhe në Singapor dhe shtete të tjera aziatike, por edhe në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, ku është konfirmuar një rast i prekur. Ndërkohë një infermiere indiane në Arabinë Saudite është diagnostikuar me virusin, duke e zgjeruar edhe më shumë hartën e të infektuarve.