Video me kokainë, kryebashkiaku i Bulqizës dëshmon në SPAK – A2

Video me kokainë, kryebashkiaku i Bulqizës dëshmon në SPAK

spakkkk 1100x620
Video

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, mbërriti në SPAK pak pas orës 17:00 për t’u marrë në pyetje në lidhje me videon që qarkullon prej ditës së mërkurë, ku ai dyshohet se po konsumon lëndë narkotike. Ndërsa më herët në këtë institucion të ri të drejtësisë u thirr edhe gazetari Artan Hoxha, i cili publikoi videon.

Hetimet e SPAK për kryetarin e Bashkisë Bulqizë do të zhvillohen për veprën penale “mbajtje substancash narkotike”.

Sipas nenit 283/b, krijimi nga ana e personave, që për shkak të detyrës administrojnë substanca narkotike ose psikotrope, i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e këtyre substancave, në kundërshtim me dispozitat ligjore përkatëse, dënohet nga 3 deri në 7 vite burg.

Një ditë më parë, Alla mohoi që të jetë personi në videon e publikuar në media, ndërsa akuzon Selinë Blu për montazh dhe shantazh.

Lefter Alla iu drejtua Prokurorisë së Posaçme me pretendimin se videoja është montazh, ndërsa pas daljes nga prokuroria, avokati i tij nuk dha sqarime për ngjarjen.