Virusi kinez shkakton 17 viktima, izolohen dy metropole me 19 milionë banorë

Virusi kinez shkakton 17 viktima, izolohen dy metropole me 19 milionë banorë
Dy qytete kineze me 19 milionë banorë janë izoluar në përpjekjen për parandalimin e përhapjes së virusit, epiqendra e epidemisë, Wuhani dhe Huanggang ku sipas Reuters janë raportuar 12 raste.
Fluturimet dhe shërbimet e transportit publik u pezulluan fillimisht në qytetin me 11 milionë banorë të Wuhan, ku po mbretëron ankthi. Në mungesë të ushqimeve dhe në pamundësi të lëvizjes qytetarët po përjetojnë ndjesinë e fundit të botës.
Një shtetas nga Afrika e Jugut me vendbanim në Wuhan, është një prej të paktëve që arriti të hipte në bordin e një avioni për t’u larguar nga qyteti të enjten.
“Quhem Sibusiso Zguane dhe jam nga Afrika e Jugut. Gjendem në aeroportin ndërkombëtar të Wuhanit dhe jam një prej fatlumëve pasi fluturimi im nuk është ndaluar. Njerëzit e tjerë që gjenden në aeroport janë shumë të stresuar, pasi nuk mundën të hipnin dot në avionë”, thotë ai.
Koronavirusi i rrallë ka shkaktuar të paktën 17 viktima, ka infektuar mbi 600 vetë dhe është përhapur edhe në Tajlandë, Korenë e Jugut, Japoni e Tajvan dhe gjithashtu në SHBA, ku është identifikuar një rast. Qytetet izolohen, ndërsa miliona njerëz udhëtojnë rreth vendit me rastin e vitit të ri kinez. Raftet nëpër supermarkete u zbrazën menjëherë ndërsa qytetarët u dyndën për blerjen e produkteve të nevojshme.
Shumë po ankohen në rrjetet sociale për rritjen e çmimeve. Në atraksionet turistike dhe hotele do të shmangen grumbullimet ndërsa libraritë, muzetë dhe teatrot kanë anuluar ekspozitat e shfaqjet. Komisioni kombëtar i Shëndetësisë tha të enjten se viktimat e virusit ishin nga 48 në 89 vjeç, shumica e të cilëve vuanin edhe nga sëmundjet e tjera kronike.
Virusi u shfaq fillimisht në një treg peshku dhe të gjësë së gjallë dhe sipas disa studiueseve mund ta ketë zanafillën nga gjarpërinjtë.