Fatura e tërmetit, Teliti: Burimet brenda buxhetit, para borxhit – A2

Fatura e tërmetit, Teliti: Burimet brenda buxhetit, para borxhit

DORIAN TELITI frame 851 1100x620
Video

Nuk mund të flitet për financimin e programit të rindërtimit pa përfunduar vlerësimi i plotë i dëmeve dhe pa u dhënë një afat për rikuperimin e dëmeve pas tërmetit.

Kështu e ka komentuar shifrën prej 1 miliard eurosh të dhënë nga kryeministri Rama, Drejtori i Kabinetit të Partisë Demokratike, Dorian Teliti.

“E para gjë që duhet bërë është përfundimi i vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, më pas mund të flitet për një faturë financiare të rikuperimit të këtyre dëmeve. Ajo që duhet bërë nga qeveria është pikë së pari, përfundimi i këtij procesi i cili po zvarritet shumë dhe pritet të marrë dhe muaj të tjerë”, tha zyrtari i PD.

Sipas Telitit, për të plotësuar faturën financiare, qeveria duhet të rishikojë zërat në buxhet përpara se t’i drejtohet borxhit.

“Qeveria mund të hedhë dhe idenë të shtojë borxhin publik. Qeveria mund të hedhë edhe idenë të bëjë Eurobond, apo të marrë hua shtesë në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Por ajo që duhet të bëjë qeveria është vetëm një gjë, të shohë burimet e financimit brenda buxhetit ekzistues, të shkurtojë çdo lloj shpenzimi të panevojshëm apo luksi, të shkurtojë urgjentisht kontratat e koncesioneve dhe iu siguroj që do të ketë fonde mëse të mjaftueshme për të përballuar situatën nga tërmeti”, theksoi Teliti.

Sipas Partisë Demokratike, krahas rindërtimit të banesave, duhet një mbështetje e posaçme për bizneset e prekura, në mënyrë që të rikthehen sa më parë në gjendjen para tërmetit dhe të mos cenohet ekonomia.