Negociatat, Balla: Besimplotë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim – A2

Negociatat, Balla: Besimplotë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim

SINK BALLA KESHILLI frame 998 1100x620

Taulant Balla u shpreh optimist për nisjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë këtij viti. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Balla tha se Komisioni Europian do të publikojë së shpejti metodologjinë e re të vlerësimit dhe monitorimit të vendeve kandidate. “Jam besimplotë që gjatë këtij viti, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut do të fillojnë bisedimet për anëtarësim”, u shpreh Balla.

Gjatë mbledhjes u paraqitën edhe të dhënat më të fundit për numrin e azilantëve, një problem ky që ishte faktor në mos hapjen e negociatave në tetor. Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, tha se institucioni që ajo përfaqëson ka luajtur rol kyç për kontrollin e lëvizjes së shqiptarëve drejt Bashkimit Europian. Megjithatë, tha ajo, fenomeni mbetet sfidë.

Duke iu përgjigjur Rudina Hajdarit, e cila the se Franca është mosbesuese për hapjen e negociatave për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve, Voda tha: “Për muajin nëntor e dhjetor ka rënie të numrit të azilkërkuesve. Numri i shtetasve shqiptarë që janë ndaluar të udhëtojnë drejt vendeve të BE është me rënie. Nuk është shfajësim por Franca ka legjislacion miqësor për emigracionin”.