Po afrohet sfida e Nurmagomedov me Mayweather? Rusi ka vetëm një kusht – A2

Po afrohet sfida e Nurmagomedov me Mayweather? Rusi ka vetëm një kusht

khabib 1100x620

Dy nga ndeshjet më të përfolura në një ring vitet e fundit kanë qenë sfida-show mes kampionit të boksit Floyd Mayweather dhe Connor McGregor si dhe ajo për UFC midis këtij të fundit dhe rusit nga Daghestani  Khabib Nurmagomedov, kampionit të pamposhtur të arteve marciale mikse.

Ndërkohë, ky i fundit, po përgatitet për një përballje të vështirë kundër Tony Ferguson, në rrjetet sociale ka filluar të qarkullojë lajmi sikur në fshehtësi po përgatitet një sfidë ekstreme midis Nurmagomedov dhe Meaweather.  Një sfidë ku të dy kampionët do të përfitonin dhjetëra miliona dollarë, si dhe vëmendjen e mediave botërore.

Floyd Mayweather kundër Conor McGregor në 2017, një sfidë që nuk ishtë e barabartë

Lajmi merr një farë konsistence nga fjalët e babait-trajner të Khabibit, Abdulmanap, i cili në një intervistë të ditëve të fundit për agjencinë ruse TASS ka hapur mundësitë për sfidën.

“Tani po mendojmë për Tony Ferguson dhe do të kemi Lomachenkon pas 6 muajsh, më pas mund të mendojmë për diçka të tillë. Maywather është boksieri më i mirë, ka 50 fitore dhe asnjë humbje, dhe patjetër që dëshiron të sfidojë një tjetër kampion të pamposhtur si Khabibi. Por ka një kusht”, thotë babai i Nurmagomedov.

Sipas tij, sfida në 12 raunde do të kishte 11 prej tyre në boks tradicional, dhe vetëm një sipas rregullave të UFC.

Vështirë që Mayweather mund të pranonte diçka të tillë, por sfida me këto kushte do të ishte patjetër më e ekuilibruar se ajo  e kampionit amerikan kundër irlandezit McGregor.