Rama: Europa nuk do të na lërë vetëm. Presidenti i KE: Nuk kemi ende unanimitet për integrimin – A2

Rama: Europa nuk do të na lërë vetëm. Presidenti i KE: Nuk kemi ende unanimitet për integrimin

ca910587 3933 4760 8180 e12cc12e7800 1100x620

Kryeministri Edi Rama falënderoi Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel për mbështetjen që ka dhënë ndaj Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Charles Michel është një mik i rajonit tonë. Jam i lumtur që e takoj sërish, këtë herë si President i KE”, tha Rama. “E falënderoj për angazhimin ndaj konferencës së donatorëve. Europa është pranë nehs dhe nuk do të na lërë vetëm në përpjekjen tonë për rindërtim. Kemi folur edhe për integrimin. Kemi ndarë pikëpamjet se çfarë është arritur e çfarë duhet arritur, por edhe për metodologjinë e re të integrimit. Michel ka ardhur për të çelur një fazë të re me Shqipërinë”.

Ndërsa Presidenti i KE tha se përtej dashamirësisë, duhet mbështetje reale për Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit. “Jemi tronditur nga tragjedia e tërmetit. Inkurajojmë konferencën e donatorëve për të mbështetur realisht popullsinë e vendit tuaj. I dashur Edi, kemi pasur mundësinë të bisedojmë edhe kur kam qenë Kryeministër. Në javët e ardhshme do të kemi rastin te marrim vendime për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Michel.

Integrimi, Michel: Nuk ka unanimitet

Sa i përket integrimit, ish-Kryeministri belg tha: “Sot kam një mesazh të qartë. Sot nuk kemi një qëndrim unanim. Por do të punojmë në javët në vijim për të diskutuar. Ka një unanimitet lidhur me një pikë, që është ambicia e përbashkët e 28 vendeve që mendojnë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”.

Presidenti i Këshillit Europian tha se strategjia që duhet ndjekur ka tre shtylla.

“1. Domosdoshmëria që krerët e qeverive të bien dakord se cilat do të jenë reformat për zgjerimin. Që ky proces të jetë i besueshëm dhe të ketë lidership politik. Ky është debati që do të kemi me Komisionin Europian.

2. Komisioni Europian para verës i propozoi Këshillit hapjen e negociatave. Përsëri do ta kemi këtë debat. Komisioni Europian duhet të jetë i qartë te rekomandimi që do të bëjë dhe këshilli do të debatojë më pas, duke shtruar debatin me gjitha vendet anëtare dhe pastaj do vendoset.

3. Thirrja që bëhet për të mobilizuar tryezën e Bashkimit Europian për një pakt rritjesh investimesh. Të inkurajohet zhvillimi ekonomik, që është kyç për të çuar para këtë proces integrues.

Ne pohojmë se fati i këtij vendi dhe Ballkanit Perëndimor duhet të jetë i kthyer nga BE. Duhet angazhim, për të vijuar përpjekjet me luftën kundër krimit të organizuar, reformat. Ne na takon që të ecim përpara muajt e ardhshëm me këtë ambicie. E rëndësishme që të afirmojmë lidershipin politik. Të kryejmë hapa përpara”, u shpreh Michel.