Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi dje se fati i Teatrit Kombëtar është i shkruar, dhe se ai do të shembet.
Por pas dy vjet përballje për shembjen e godinës, regjisori Robert Budina, është i bindur se tashmë Aleanca për Teatrin e ka fituar këtë betejë ndaj institucioneve.
“Në fakt nuk janë 2 vjet, por 20 vite përplasje me kryeministrin, që ka humbur tre beteja për teatrin, e humbi edhe këtë, dhe tani ka vënë Erjon Veliajn. Ju e kuptoni sa shanse ka kryetari i bashkisë të fitojë kur nuk e arriti kryeministri me gjithë pushtetin e tij”.
Sipas Budinës, i intervistuar nga A2, kryebashkiaku “thjesht po djeg veten, ajo deklaratë e tij bëhet që të bindë të tjerët që nuk ka humbur. Ai e ka pranuar humbjen, por e sheh si fitore”.
Së fundmi Budina dhe të gjithë ata që ditë e natë kanë mbrojtur ambientet e teatrit kanë marrë një mbështetje të dukshme dhe prestigjioze nga Europa Nostra, që ka listuar Teatrin Kombëtar si një nga 7 monumentet më të rrezikuara në kontinent dhe i bëri një apel qeverisë shqiptare.
“Madje sipas tyre ajo është e para, sepse sulmohet nga vetë kryeministri. Hermann Parzinger është në një formë ministri i kulturës europiane, dhe ai tha se ky do të ishte rasti i parë që një apel i Europa Nostra nuk do të merrej parasysh. Na kanë shkruar se ky mund të jetë një rast i paprecedent në botë¸ që disa njerëz luftojnë kaq shumë për një godinë, dhe se jemi bërë një frymëzim për ta”, duke paralajmëruar edhe disa “surpriza nga personalitete të kulturës europiane”.
Regjisori njoftoi edhe faktin që tashmë përtej protestës ekziston paralelisht edhe një fazë ligjore, ku ndër të tjera “ është çuar një dosje në SPAK për shkeljet në informim të kryebashkiakut”.
Përtej emrave të përveshëm, sipas regjisorit çështja ´nuk ka të bëj vetëm me Ramën dhe Veliajn, por me një mentalitet që ka Shqipëria. Njerëzit duhet të besojnë te vetja e tyre, sepse në qoftë se kërkohet e drejta asnjë pushtet mund të rezistojë”.