Gjyqi ndaj Trump, Davos, virusi kinez dhe e ardhmja e çiftit “gjysmë-mbretëror”

Përditësuar më: 26/2/2020, ora 17:35

Gjyqi ndaj Trump, Davos, virusi kinez dhe e ardhmja e çiftit “gjysmë-mbretëror”

Përditësuar më: 26/2/2020, ora 17:35

Zërat demokratë për shkarkimin e Presidentit amerikan u dëgjuan që prej fillimit të presidencës së trazuar të Donald Trump. Skandali i Rusisë, që lidhte kreun e Shtëpisë së Bardhë me përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016-të, shtoi ndjeshëm thirrjet për impeachment, e madje nxiti hetime nga prokurori I posaçëm Robert Mueller.

Por lidershipi demokrat rezistoi, duke iu frikësuar pasojave të një hapi të tillë. Në fakt, gjyqi kundër një presidenti ka kosto politike e morale, jo vetëm për kreun e shtetit por edhe palën tjetër të përfshirë, veçanërisht kur zgjedhjet e reja janë vetëm disa muaj larg.

Atë që nuk e bëri dot Rusia, e bëri Ukraina… Provat se Trump kishte shfrytëzuar ndihmën ushtarake për t’i bërë presion Kievit të hetonte rivalin politik Joe Biden shtynë demokratët të tejkalonin dyshimet e të nisnin pa humbur kohë procedurat për shkarkimin e Trump. Në fund të një procesi disa javor në dhomën e përfaqësuesve, me dëshmi dramatike, ndaj Trump u ngritën dy akuza; për abuzim me pushtetin dhe pengim të drejtësisë.

Çështja shkoi në senat, dhe në 21 janar filloi gjyqi i tretë kundër një presidenti në historinë amerikane… Pas dyerve të dhomës së lartë të Kongresit, do të vendoset fati i Donald Trump, edhe pse shifrat janë të gjitha në favor të tij.

Në historinë amerikane asnjë president nuk është shkarkuar nga Senati, e megjithatë emrat e tre prej tyre lidhen kryesisht me “impeachment”. Andrew Johnson ishte i pari që iu nënshtrua gjyqit në Senat dhe i shpëtoi shkarkimit për vetëm një vote.

Skandali i “Watergate” implikoi Richard Nixon por ai u dorëhoq para zhvillimit të gjyqit. Bill Clinton doli para Senatit për skandalin “Lewinski”, por nga procesi doli jo vetëm i pafajshëm, por edhe me i fortë.

Lojtarët kyç të gjyqit kundër Trump dhe si do të funksionojë procesi në senat?

John Robert, kreu i Gjykatës së Lartë të drejtësisë do të drejtojë procedurat por çdo propozim i tij do të duhet të mbështetet në shumicën e thjeshtë në senat.

100 senatorët në dhomën e lartë të Kongresit do të kenë rolin e juristëve por në fund edhe të gjykatësve pasi me votën e tyre vendosin nëse presidenti shpallet ose jo fajtor.

Një grup prej 7 demokratësh nga dhoma e përfaqësuesve që ngriti akuzat kundër Trump do të veprojnë si prokurorë të çështjes. Mes tyre kryetari i komisionit të zbulimit Adam Schiff dhe ai i Komisionit të Drejtësisë, Jerry Nadler. Të dy ata u bënë shënjestër e zemërimit të Trump…

Patt Cipollone, këshilltari ligjor në shtëpinë e bardhe do të drejtojë ekipin mbrojtës të Trump bashkë me avokatin personal të presidentit Jay Sekulow…

Që Presidenti të shkarkohej do të duheshin 2/3-at e votave në senat, por republikanët gëzojnë shumicën dhe kjo ka pak gjasa të ndodhë…

Forumi në Davos, klima dhe ekonomia dominuan punimet

Klima dhe ekonomia. Këto dy tema të rëndësishme ishin në qendër të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror, që këtë vit mbajti dhe sesionin e 50 në Zvicrës. Mijëra biznesmenë dhe udhëheqës nga 114 vende të ndryshme të botës ishin të pranishëm në qytetin malor të Davosit, në forumin me temë “Aksionerët e një bote kohezive dhe të qëndrueshme”.

Përballë elitave globale, u vendos sërish aktivistja suedeze, Greta Thunberg. Kritikat e adoleshentes aktiviste, irrituan paksa Presidentin amerikan, Donald Trump, i cili shprehu dashurinë e tij për mjedisin. Por sigurisht nuk humbi fokusin nga ajo që di të bëjë më mirë, biznesi dhe mburrja.

“Me krenari njoftoj se Amerika është në mes të një bumi ekonomik, të cilin bota nuk e ka parë kurrë. Ne rifituam hapin tonë, rizbuluam shpirtin tonë dhe rizgjuam makinerinë e fuqishme të sipërmarrjes amerikane. Amerika po lulëzon”, tha ai.

Megjithatë, atmosfera jashtë godinës ku mbahej Forumi i Davosit nuk ishte dhe aq pozitiv. Mijëra persona protestuan kundër liderëve shtetërorë dhe biznesmenëve duke kërkuar të bëhet më shumë për mbrojtjen e mjedisit dhe për një sistem më të mirë ekonomik. Madje në një shkëmb në afërsi të Davosit u vendos dhe një baner gjigand që i drejtohet presidentit amerikan, dhe në të cilin shkruhej: “Lufto ndryshimet klimatike, jo Iranin”.

Virusi kinez alarmon botën, izolohen disa qytete, qindra të infektuar

Një virus i ri po alarmon botën. Është i së njëjtës familje me SARS që shkaktoi qindra viktima në vitet 2000, dhe u identifikua fillimisht në një treg peshku e të gjësë së gjallë në qytetin me 11 milion banorë të Wuhanit në Kinë.

Përflitet se koronavirusi ka kaluar nga lakuriqi i natës tek gjarpri, e më pas njeriu dhe po përhapet më shpejtësi. Rastet e konfirmuar I kanë kaluar 800, ndërsa viktimat janë mbi 26, shumica në Wuhan. Qyteti është vënë nën karantinë, ndërsa të gjitha shërbimet e transportit janë pezulluar. Kufizime udhëtimesh edhe në më shumë se 10 qytete të tjera me 60 milionë banorë.

Autoritet në Pekin janë vënë në garë më kohën për të parandaluar përhapjen, kanë anuluar festimet e vitit të ri kinez, kanë mbyllur qytetin e ndaluar dhe apelojnë për shmangien e vendeve më grumbullime masive. Në Wuhan situata është alarmante, qytetarët janë të dëshpëruar në pamundësi për të lëvizur dhe në mungesë të ushqimeve. Virusi është përhapur edhe përtej kinës, si në Japoni, Tajlandë, Singapor, Vietnam dhe Shtetet e bashkuar. Megjithatë numri i ulët i rasteve jashtë vendit ka bërë që organizata botërore e shëndetësisë të mos e shpallë ende gjendjen e emergjencës ndërkombëtare.

CNN shkon në “ground zero”, tregun ku koronarovirusi u identifikua për herë të parë

Pas shiritit të policisë, tregu që zakonisht është i populluar me njerëz në qendër të qytetit të Wuhan, duket si përjetësisht i shkretë. Ky është “ground zero” i virusit që ka vënë botën në alarm.

David Culver korrespondenti i CNN në Wuhan thotë: “Autoritetet besojnë se këtu është zanafilla e llojit të ri të koronavirusit. Është një treg i gjësë së gjallë dhe ushqimeve të detit. Mund të shihet se është i rrethuar me shirit, dhe prania policor ndihet kudo. Çështja është aq e ndjeshme sa pak minuta pasi kishim ardhur e po regjistronim, pjesëtarët e sigurisë na kërkuan të ndalim filmimin. Ka një ndjesi jo rehatie që perceptohet në të gjithë Wuhanin. Ne e ndjemë sapo hipëm në tren nga Pekini. Njerëz me fytyra të mbuluara dhe çdo makinë e mbushur plot, ndërsa qytetarët kthehen në shtëpi për vitin e ri kinez. Skanime të rrepta pas mbërritjes. Çdo pasagjer i nënshtrohej kontrollit me termometër, për të siguruar se nuk sjellin me vete temperaturë. Skena të tilla mund të shihen në të shumë prej nyjeve të transportit rreth Kinës.

Nga moda në industrinë e filmit, çfarë rruge do të bëjnë tani Harry dhe Meghan?

Të çliruar nga funksionet mbretërore, Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan, duket se e kanë botën nën këmbët e tyre, me potencialin për të bërë para në fusha që variojnë nga moda deri te krijimi i kompanisë së tyre të prodhimit.

Por ekspertë të fushës dhe vëzhgues në Hollivud thonë se dyshja e njohur më herët si duka dhe dukesha e Sussex, duhet të bëjë lëvizje të zgjuara në përpjekjet për të qenë financiarisht e pavarur në një botë ku sundojnë blogerë me ndikim si Kim Kardashian, dhe ku vizibiliteti në vend që të reduktohej do të shumëfishohej.

E shkuara e Meghan si aktore në serialin televiziv “Suits”, nxiti menjëherë spekulimet se mund t’i kthehet aktrimit. Por mundësitë që kanë para tyre janë shumë më të gjera. Mes tyre mund të përfshihet krijimi i një kompanie prodhime për shfaqje televizive, dokumentare, apo filma sipas modelit te Higher  Ground, kompania e krijuar nga ish-Presidenti amerikan Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle. Harry ka bashkëpunuar më herët me Oprah Winfrey për prodhimin e një dokumentari që do të fokusohet tek shëndeti mendor për shërbimin e ri të transmetimit.

Nga ana tjetër Meghan ka ndikim të konsiderueshëm në botën e modës. Platforma globale e kërkimeve për modën Lyst, e shpalli atë si njeriun më me shumë ndikim sa I përket veshjes, në vitin 2019-të. Kësisoj markat e ndryshme do të kenë përfitime të mëdha nëse Meghan do të veshë produktet e tyre.

Por çifti “gjysmë-mbretëror” do të përballet me garën e egër nga personalitete e konsoliduara të botës së spektaklit, të cilët mund të fitojnë mijëra dollarë nga një reklamë e vetme në rrjetet sociale.