Dy muaj pas tërmetit, Basha: Rama prodhoi vetëm korrupsion dhe gënjeshtra

15 JANAR BASHA frame 21657 1100x620

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një postimi në rrjetet sociale, shprehet se dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, “të gjithë jemi dëshmitarë se si shteti i babëzisë dhe korrupsionit ka dështuar në çdo detyrë”.

“Dy muaj pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ndërsa përkujtojmë me dhimbje 51 jetët e humbura, të gjithë jemi dëshmitarë sesi shteti i babëzisë dhe korrupsionit ka dështuar në çdo detyrë. Sot nuk ka ende një faturë reale dëmesh të vlerësuara. Sot nuk ka ende një vlerësim përfundimtar të objekteve të pabanueshme dhe të dëmtuara. Sot ka ende mijëra familje që kalojnë ditët e ftohta nëpër çadra, pa asnjë ndihmë nga shteti. Sot qytetarët vazhdojnë të sorollaten nga njëra zyrë në tjetrën për të marrë bonusin e qerasë. Sot ka mijëra qytetarë të cilët nuk kanë ku të fusin kokën dhe nga dëshpërimi, janë futur në banesat e dëmtuara duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të fëmijëve. Sot fëmijë e të moshuar janë në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kushteve të vështira në të cilat po mbijetojnë që prej dëmtimit të shtëpive”, lexohet në postimin e Bashës.

Basha shton: “Ende banorët pyesin se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre, por nuk marrin përgjigje. Ende sot nuk ka asnjë masë për të ndihmuar në ringritjen e biznesit në Durrës e në zona të tjera të dëmtuara nga tërmeti. Shumë biznese po mbyllen e qindra qytetarë po mbeten pa punë. Rënia ekonomike e Durrësit sjell rënie ekonomike të të gjithë vendit. Sot është e qartë për qytetarët se kjo qeveri dhe ky kryeministër i dështuar prodhon vetëm gënjeshtra dhe korrupsion, gjë të cilën e vërtetoi edhe raporti i Transparency International”.