Kapet në Korçë mashtruesi kosovar – A2

Kapet në Korçë mashtruesi kosovar

pranga 600x338

Policia e Korçës ka arrestuar një mashtrues të shpallur në kërkim nga policitë e disa qarqeve në vend, madje edhe në Kosovë.

I ndaluari ishte i kërkuar në Vlorë, Fier, Tiranë dhe Elbasan për veprën penale “Mashtrimi”. Gjatë operacionit, 31-vjeçari me inicialet L.S., banues në Gjilan, tentoi t’i largohet policisë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, pasi nëpërmjet mashtrimit që u ka bërë dy personave (në kohë të ndryshme), dyshohet se ka përfituar një shumë mbi 10 000 euro.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim”.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ky shtetas në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira.

Po ndaj këtij shtetasi po zhvillohen hetime edhe nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP-Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi ky shtetas, me anë të mashtrimit ka përfituar nga një shtetas në Levan të Fierit, një shumë prej 850 000 lekësh.