Avioni me 135 udhëtarë përfundon në mes të autostradës – A2

Avioni me 135 udhëtarë përfundon në mes të autostradës

Një avion iranian përfundoi në mes të autostradës pasi doli nga pista gjatë momentit të zbritjes. Fatmirësisht, asnjë nga 135 udhëtarët në bord nuk u dëmtuan nga incidenti në qytetin jugperëndimor Mahshahr. Avioni i Caspian Airlines ishte nisur nga Teherani.

Sipas televizionit shtetëror iranian, piloti e kreu me vonesë manovrat e zbritjes dhe kjo bëri që avioni të përfundonte jashtë piste, ndërsa nga pamjet u pa që rrotat nuk ishin plotësisht të dala, për të bërë të mundur zbritjen. Sipas një gazetari që ishte vetë në bord, rrota e pasme ishte thyer dhe kjo bëri që ai të rrëshqiste.

Ky është incidenti i radhës që ndodh me avionët në Iran, pas atij që u rrëzua gabimisht nga forcat ushtarake natën e sulmit ndaj bazave amerikane në Irak.

Në shkurt 2019, 66 persona humbën jetën në një aksident ndërsa dhjetëra vdiqën kur një avion i IranAir u shpërbë gjatë zbritjes në vitin 2011.

Bashkimi Europian u ka ndaluar ose kufizuar dy linjave ajrore iraniane përdorimin e hapësirës ajrore për arsye sigurie. Irani kishte planifikuar që të modernizonte flotën e avionëve pas heqjes së sanksioneve në vitin 2015, si pjesë e marrëveshjes me fuqitë botërore, por në vitin 2018 administrata Trump u hoqi licencën kompanive amerikane për t’i shitur avionë Iranit.