Mblidhet Task Force për koronavirusin, Manastirliu: Rritet gatishmëria, masa dhe në aeroport

Publikuar më: 27/1/2020, ora 11:29
Screenshot 9 8 1024x576

Mblidhet Task Force për koronavirusin, Manastirliu: Rritet gatishmëria, masa dhe në aeroport

Publikuar më: 27/1/2020, ora 11:29

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka mbledhur Task-Forcën e institucioneve të shëndetësisë dhe ekspertëve për të koordinuar masat për koronavirusin e ri i cili ka përfshirë Kinën dhe ka shkaktuar 81 viktima deri tani dhe mijëra persona të prekur.

“Kam kërkuar disa ditë më parë me një urdhër të posaçëm të merren masat paraprake për rritjen e survejancës dhe të identifikohet niveli i rrezikut për vendin tonë, sipas përhapjes së virusit te ri. Nga raportimi i fundit që kam nga strukturat tona të shëndetit publik. Shqipëria mbetet vend me rrezik të ulët përsa i takon depërtimit të koronavirusit të ri”, tha ministrja Manastirliu.

Megjithatë ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se Shqipëria po merr masat paraprake, për mbrojtjen ndaj këtij virusi.

“Fakti që në 24 orët e fundit OBSH ka konfirmuar transmetimin e virusit nga njeriu te njeriu, edhe pse duhet theksuar se nuk ka shpallur emergjencë ndërkombëtare, por vetëm emergjencë në Kinë për momentin, ne po përgatitemi me masa të shtuara në strukturat tona dhe dua të theksoj se kemi gati planet e emergjencës për reagimin ndaj infeksioneve virale, sipas shkallës së rrezikshmërisë”, shtoi ministrja.

Aktualisht Instituti i Shëndetit Publik ka përforcuar survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Është përgatitur përkufizimi i rastit, udhëzimet për survejancën, hetimin epidemiologjik dhe menaxhimin e rasteve në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit.

“Situata po menaxhohet bazuar në rregulloren ndërkombëtare të shëndetit dhe çdo veprim është në koordinim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Edhe pse në lidhje me interferencën me udhëtimet dhe tregtinë ndërkombëtare OBSH nuk rekomandon ndonjë kufizim të udhëtimeve bazuar në informacionin aktual të pranishëm, ne kemi marrë masa për të rritur survejancën në aeoport me njësinë tonë të përhershme të shëndetësisë. Janë riaktivizuar protokollet përkatëse dhe janë marrë masa për rritjen e survejancës”, përfundoi Manastirliu.