Kobe dhe bashkëshortja nuk fluturonin kurrë bashkë me helikopter

Kobe Bryant ishte përdorues i rregullt i helikopterit si mjet transporti, por ai dhe bashkëshortja Vanessa kishin bërë një marrëveshje që të mos udhëtonin kurrë bashkë.

Zbulimin e bën revista amerikane “People”, e cila citon një burim pranë familjes Bryant. Të martuar prej vitit 2001, Kobe dhe Vanessa kishin 4 vajza, Gianna 13 vjeçe, e cila humbi jetën me të atin në aksidentin e të dielës, Natalia 17 vjeçe, Bianka 3 vjeçe dhe vogëlushen Capri, të lindur në qershor 2019.

“People” gjithashtu raporton se Bryant udhëtonte me helikopter vetëm kur në drejtim ishte Ara Zobayan, piloti që humbi gjithashtu jetën gjatë aksidentit. Ndërsa ish-piloti i Bryant, Kurt Deetz, tha për CNN se helikopteri me të cilin udhëtonin viktimat, Sikorsky S-76B ishte tepër i sigurt dhe nuk mund të rrëzohej në atë mënyrë. Megjithatë, tha se mjeti ishte tepër i ndërlikuar dhe piloti që e drejtonte duhet të kishte disa mijëra orë fluturim.

Ndërkohë në kodrën ku u përplas helikopteri, policë me kuaj kanë nisur të patrullojnë zonën për të shmangur grabitjen e ndonjë mbetjeje që mund të prishë provat, pasi hetimet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së legjendës së NBA, vajzës së tij dhe 7 të tjerëve vazhdojnë ende.