Qeveria e re në Kosovën, Ahmeti: LDK dhe VV nuk duan të marrin kostot e marrëveshjes me Serbinë

Screenshot 1 54 1100x620

Zhvillimet e fundit në Kosovë dhe bllokimi e negociatave mes fraksioneve politike fituese të zgjedhjeve, për krijimin e qeverisë së re ishin temë diskutimi në Ditarin e orës 09:00 në A2.

I ftuar në edicionin informative ishte opinionisti nga Kosova, Arben Ahmeti i cili dha një panoramë ndryshe rreth shkaqeve që sipas tij kanë sjellë këtë tejzgjatje të negociatave mes Vetëvendosje dhe LDK për krijimin e koalicionit qeveritar.

Drejtori i Programacionit në RTV Dukagjini tha për A2 se Vetëvendosje dhe LDK janë gjetur të papërgatitura nga sfidat që e presin Kosovën në kuadër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Sipas tij nuk bëhet fjalë për poste ministrash, por për mungesë vullneti politik.

“VV dhe LDK nuk kanë qenë të përgatitura me sfidat që e presin Kosovën dhe që kanë të bëjnë me rezultatin e një procesi 10 vjeçar të negociatave të njëpasnjëshme me Serbinë, por pa një përfundim final. Tashmë sa më shumë që po i afrohemi kësaj marrëveshje po e shohim që 10 vjet në dialog është diskutuar për rifunksionalizimin e Kosovës deri në defunksionalizim. Edhe ka shumë vështirësi dhe sfida që marrëveshja do të ketë. Asnjë nga partitë nuk dua të jenë bartëse të një rezultati të një procesi 10 vjeçar, rezultat që do të jetë i dhimbshëm dhe sfidues për Kosovën. Duhet të kemi parasysh që pushteti në Kosovë është i tillë ka mundësi dhe opsione nëse do të kishin vullnetin do të gjenin me mijëra mundësi për ta bërë qeverinë”, u shpreh Arben Ahmeti.