Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Ruçi dhe Balla në Samitin Parlament Europian-Ballkan Perëndimor: KE në mars, dritë jeshile për Shqipërinë

Nga A2 CNN
28 Janar 2020, 18:11 | Politikë
Ruçi dhe Balla në Samitin Parlament Europian-Ballkan

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ishin të pranishëm në Samitin e Nivelit të Lartë Parlament Europian-Ballkan Perëndimor, në Bruksel.

Samiti u organizua dhe kryesua nga Presidenti i PE, David Maria Sassoli dhe në të morën pjesë kryetarët e parlamenteve të vendeve të BP, kryetarët e grupeve parlamentare të PE dhe reporterët e PE për BP. Ruçi dhe Balla e filluan ditën me takimin me Raporteren për Shqipërinë, Isabel Santos dhe më pas me bashkë-Kryetarin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri Manolis Kefalogiannis.

Gjatë takimeve u nënvizua se Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë gjatë presidencës kroate bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian në fund të muajit Mars duhet të hapë dritën jeshile për të dy vendet.

Për të rikonfirmuar këtë qëndrim të legjislativit europian, Presidenti i Parlamentit, David Sassoli organizoi sot këtë Samit. Ashtu si edhe në Këshillin Europian në tetor të vitit të kaluar, shumica e vendeve anëtare mbështesin fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni Europian, i cili ka monitoruar nga afër detyrat e shtëpisë për secilin prej vendeve, ka raportuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian se dy vendet kanë bërë hapa kurajozë dhe se e meritojnë të kalojnë në fazën finale drejt anëtarësimit.

Në fjalën e tij në Samit, kryeparlamentari Ruçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që PE dhe personalisht Presidenti Sassoli u japin përpjekjeve të vendeve të rajonit për t’iu bashkuar familjes europiane. Ruçi rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë drejt destinacionit europian dhe deklaroi se vendi ka vetëm një Plan A në rrugëtimin drejt të ardhmes, që është Bashkimi Europian. Asnjë Plan B nuk ekziston, as i hapur dhe as i fshehtë, as sot dhe as në të ardhmen.

Ruçi u kërkoi kryeparlamentarëve të BE-së të bindin qeveritë e tyre se Ballkani Perëndimor është një rajon europian dhe jo kufitar me Bashkimin Europian, se kufijtë kulturorë të Europës janë kufijtë e saj gjeografikë dhe se kufijtë politikë dhe ekonomikë ka ardhur koha të afrohen me ta, se Ballkani Perëndimor është një vlerë e shtuar dhe jo një problem i shtuar për Bashkimin Europian.

Gjatë ndërhyrjes së tij, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, nënvizoi se “Shqipëria nuk është dekurajuar nga rezervat dhe skepticizmi i disa vendeve anëtare, të cilëve u është kërkuar që, para se të shprehin qëndrimet e tyre, të vijnë në Shqipëri dhe të prekin nga afër rezultatet e problemet tona. Ne jemi të vendosur në destiancionin tonë europian dhe nuk kemi plan tjetër, as të hapur, as të fshehtë, as sot, as në të ardhmen”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu