50 personat më të kërkuar në Shqipëri – A2

50 personat më të kërkuar në Shqipëri

Policia e Shtetit ka publikuar fotot e disa prej personave më të kërkuar në Shqipëri, të cilët do të jenë objekt i punës së Njësisë së Kërkimit.

Këtë të mërkurë, Policia publikoi fotot dhe të dhënat e 5 të kërkuarve, Dritan Syziu, Altin Arapi, Eduart Kurti, Gentian Tako, Gëzim Memeti, ndërsa njoftoi se për 10 ditët e ardhshme do të publikojë çdo ditë 5 foto të 50 më të kërkuarve në vendin tonë.

Të pestë personat në kërkim, fotot e të cilëve janë publikuar janë të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm, në mungesë, për vrasje.

Kështu, Altin Arapi është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, vjedhje me armë. Gëzim Memeti është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Gentian Tako është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje, në lidhje me një krim tjetër. Eduart Kurti është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Dritan Syziu është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

“Në kuadër të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nisur nga rrezikshmëria e theksuar e secilit prej personave, bazuar në veprën penale që ka kryer dhe në masën e dënimit të marrë nga gjykatat, duke filluar nga masa më e rëndë, burgim i përjetshëm dhe deri në 25 vjet burgim, është përcaktuar lista me 50 personat më të kërkuar, që do jenë objekt i punës së forcës së posaçme.

Njësia e Kërkimit do të marrë gjithë masat e duhura për realizimin e kërkimit të këtyre personave dhe kapjen e tyre, duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse në Drejtoritë Vendore të Policisë, si dhe me strukturat homologe të vendeve evropiane që bëjnë pjesë në rrjetin ENFAST”, thuhet në njoftimin e Policisë.