Rritet bilanci i viktimave nga koronavirusi, nis evakuimi i të huajve nga Wuhan

Publikuar më: 29/1/2020, ora 08:14

Rritet bilanci i viktimave nga koronavirusi, nis evakuimi i të huajve nga Wuhan

Publikuar më: 29/1/2020, ora 08:14

Viktimat nga koronavirusi në Kinë numërohen 132 ndërkohë që listës iu shtuan në 24 ore edhe mbi 1500 raste të reja të prekurish.

Pjesa më e prekur mbetet Wuhan, por edhe Emiratet e Bashkuara arabe kanë regjistruar viktimën e parë që është një pjesëtar i një familje me origjinë nga qyteti famëkeq kinez. Autoritetet vendase nuk përjashtojnë mundësinë që të prekur të jenë edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, por që deri tani nuk kanë dhënë shenja të sëmundjes.

Shumë vende kanë nisur përpjekjet për evakuimin e qytetarëve nga Kina. SHBA dhe Japonia kanë dërguar avionë të posaçëm për të larguar nënshtetasit nga Wuhani. Ndërkohë që një avion është nisur drejt SHBA nga Pekini, pa e ditur se kush ishte brenda tij.

Zyrtarë amerikanë bëjnë me dije se Shtëpia e Bardhë është duke menduar idenë për të pezulluar fluturimet nga Kina, një masë drastike kjo për të parandaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës.

“Të gjitha opsionet për t’u përballuar me këtë sëmundje që të mos përhapet janë në tavolinë, përfshirë dhe pezullimet e fluturimeve”, deklaroi sekretari amerikan i Shëndetësisë, Alex Azar.

Disa ekspertë besojnë se lloji i ri i virusit nuk është aq vdekjeprurës sa SARS, por ka krijuar alarm sepse po përhapet me shpejtësi dhe veçoritë kryesore të tij nuk dihen akoma, siç është vdekshmëria dhe nëse është infektiv para se të shfaqen simptomat.