Pasojat e tërmetit, PD dorëzon kallëzim penal në SPAK për disa zyrtarë të lartë

SELIA PD afer 1100x620

Partia Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion me një kallëzim penal lidhur me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit 2019. 

Erjon Veliaj, Sandër Lleshaj, Artur Bushi, Vangjush Dako, Valbona Sako dhe Besa Shahini janë disa nga zyrtarët e lartë publikë të kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike e Shqipërisë, për 5 vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.

Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, një javë më parë, evidentohet se: “Neglizhenca kriminale e Kryetarit të Bashkisë Krujë dhe të funksionarëve të tjerë publikë, duke lejuar banorët e 2 pallateve në Thumanë të qëndronin në brendësi të këtyre godinave, të cilat ishin deklaruar të pabanueshme dhe përbenin rrezik serioz për jetën e banorëve, ka sjellë pasojën e rëndë të vdekjes së 24 qytetarëve. Kjo përbën veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese”.

Kallëzimi i PD-së thekson se “zyrtarët publikë me vetëdije të plotë nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e këtyre pasojave dhe pse kishte informacion të plotë dhe të detajuar në lidhje me pasigurinë që këto objekte paraqesin, por me shpërfillje totale dhe pas pasojave të tërmetit të datës 21.09.2019, përsëri refuzoi të ndërmerrte masat ligjore”.

Në kallëzimin penal drejtuar SPAK-ut, listohen të gjitha rastet e dëmtimit të infrastrukturës arsimore publike, të cilat janë ndërtuar apo rikonstruktuar vitet e fundit, por janë shkatërruar si pasojë e tërmetit. Për Partinë Demokratike, shkatërrimi apo dëmtimi i këtyre objekteve është rrjedhojë e prokurimeve publike korruptive, që kanë sjellë cilësi të dobët të punimeve, duke vënë në rrezik serioz jetën e fëmijëve.

Duke kërkuar nga SPAK regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj personave të kallëzuar, Partia Demokratike thekson se ky kallëzim është provë për SPAK që të dëshmojë se zbatimi i ligjit është i barabartë për të gjithë, pavarësisht pozitës shtetërore, duke i dhënë fund në këtë mënyrë pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.