Finalja e 54-t e Superbowl, Chiefs përballë 49ers. Në Majemi premtohet spektakël

superbowl miami

Mbrëmjen e 3 shkurtit, kontinenti amerikan do të mbajë frymën për eventin sportiv më të ndjekur, finalen e SuperBowl.

Kansas City Chiefs për kampionatin e parë pas gjysmë shekulli apo San Francisko 49ers që kërkojnë trofeun numër 6 në histori. Këto janë dy skuadrat që duelojnë për titullin numër 54 të SuperBowl. Po aq sa spektakli në fushë do të jetë edhe ai në impiantin madhështor, “Hard Rock Stadium”.

Për herë të 11 në historinë e NFL, skuadra kampione do të kurorëzohet në Majemi. Ky stadium është ndër më të veçantët në Shtetet e Bashkuara. Fillimisht, për faktin se në gjashtë finale të ndryshme që ka mirëpritur, impianti ka pasur emra të ndryshëm. Prej koncerteve të ndryshëm, miqësores Milan-Chelsea në verën e 2012 e deri tek organizimi i turneut të Wrestling, që theu rekord me prezencën e tifozëve, stadiumi është polifunksional dhe për këtë faktor kyç është edhe perimetri i madh i fushës, ndryshe nga standartja.

“Hard Rock Stadium” përfytyrohet më së miri nga të apasionuarit e komedianit Jim Carrey dhe filmit të njohur “Ace Ventura”, pjesë e të cilit janë xhiruar pikërisht në këtë stadium.

Jennifer Lopez dhe Shakira do të ngjiten në skenë për spektaklin e këtij edicioni, në pushimin mes pjesëve të finales.