Prokurimet publike, Braçe: Ka korrupsion, ligji i ri i jep fund abuzimeve

Qeveria pranon korrupsionin që bëhet me tenderët publikë. Zëvendëskryeministri Erion Braçe tha se ndryshimet ligjore të Prokurimit Publik do t’i japin fund abuzimeve që bëhen me kontratat, që në jo pak raste janë shoqëruar me humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

“Ka probleme sa të duash. Ka gara fiktive, që nuk janë gara fare. Ka ndërhyrje banale, por edhe të sofistikuara. Ka edhe kontrata që pas procedurave të prokurimit ose nuk zbatohen, ose kërkojnë para shtesë”, tha zëvendëskryeministri Erion Braçe. “Ne e pranojmë këtë gjë, nuk jemi fshehur asnjëherë. Prandaj kemi gjithë vullnetin që ta çojmë përpara këtë nismë”.

Ndërsa kanë evidentuar problemet me prokurimet publike, përfaqësues të OSBE-së në Tiranë kanë mbështetur draftin e qeverisë, duke e cilësuar atë të zbatueshëm. “Praktika më e mirë ndërkombëtare është e zbatueshme në një mënyrë që pasqyron nevojat e pjesëmarrësve shqiptarë me rëndësinë kritike të kësaj procedure dhe të përputhshme me nivelin më të lartë të transparencës”, tha Robert Wilton, zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Ligji për Prokurimet Publike parashikon disa risi, ku përfshihen konkretisht modifikimi i kontratave gjatë zbatimit, shtimi i procedurave të reja të prokurimit si dhe ulje të masës së gjobave për shkeljet. Pavarësisht numrit të lartë të kallëzimeve të zyrtarëve që abuzojnë me tenderët, vetëm një pjesë e vogël e tyre ndëshkohen.