Thiem mposht Zverev dhe do të luajë kundër Djokovicit finalen e Australian Open

thiem 600x338

Dominic Thiem do të sfidojë Novak Djokovic në finalen e Australian Open. Austriaku siguroi pjesëmarrjen e parë në duelin për titull në Melburn, pasi mposhti në gjysmëfinale Alexander Zverev, në një ndeshje që zgjati tre orë e gjysmë.

Edhe pse humbi setin e parë, tenisti austriak arriti të rikthehej në lojë, duke fituar vetëm me “tie-break” në dy setet e fundit. Thiem siguroi një vend në finale, aty ku rivali i ardhshëm do të jetë kampioni në fuqi, Novak Djokovic.

Shanset e 26-vjeçarit nuk mungojnë, pasi në vitin 2019 ai ishte në gjendje ta mposhte dy herë, në Roland Garros dhe në finalet e ATP. Për Dominic Thiem kjo është finalja e tretë e Grand Slam-it në karrierë, pas dy sfidave të humbura në Roland Garros.

Surprizat nuk munguan në turneun e femrave në Australian Open. Në mënyrë të papritur, dueli për titull do të zhvillohet ndërmjet Sofia Kenin dhe një kampione e rikthyer në nivelet më të larta si Garbine Muguruza. Jashtë sfidës për titullin e parë të Slam-it në këtë sezon mbeten numri një në botë, Ashley Barti, por edhe Simona Halep, e cila renditet e treta.

Si për Kenin, ashtu edhe për Muguruza, sfida në çimenton e Melburnit është e para në finalen e Australian Open.