Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Britania e Madhe shkëputet zyrtarisht nga BE

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2020, 13:40 | Bota
Britania e Madhe shkëputet zyrtarisht nga BE

Britania e Madhe u shkëput zyrtarisht nga Bashkimi Europian, pas 47 vitesh anëtarësim dhe më shumë se 3 vjet pasi votoi pro Brexit në një referendum.

Momenti historik ndodhi në orën 23:00 të 31 janarit dhe u shënua si me festime, ashtu edhe me protesta.

Qytetarët në Skocinë që nuk e donte shkëputjen marshuan me qirinj në duar, ndërsa mbështetësit e Brexit festuan në sheshin para Parlamentit të Londrës. Këngë patriotike dhe fjalime të gëzueshme u mbajtën atje, përfshirë atë të liderit të partisë së Brexit, Nigel Farage: “Ky është momenti më i rëndësishëm në historinë moderne të vendit tonë”.

Penelope Smallboon, mbështetëse e Brexit, tha: “Tani jemi një vend i lirë dhe i pavarur. Mund t’i bëjmë vetë ligjet tona, të mbështetemi në taksat tona dhe ta bëjmë vendin të sigurt sërish. Është e mrekullueshme”. 

Festime për Brexit u zhvilluan në klube nate përreth Britanisë së Madhe, ndërsa vendi nisi numërimin mbrapsht për largimin zyrtar nga BE. Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale një orë para shkëputjes, kryeministri Boris Johnson u zotua ta bashkojë vendin dhe ta çojë atë përpara: “Sot, ne po shkëputemi nga Bashkimi Europian. Për shumë ky është një moment i jashtëzakonshëm shprese. Ka të tjerë që përjetojnë një ndjesi ankthi dhe humbje. Unë i kuptoj të gjitha këto ndjenja dhe detyra ime është ta bashkoj vendin e ta çoj atë përpara. Ky nuk është një fund, por një fillim”.

Mes momenteve të tjera simbolike në një ditë të mbushur me emocione ishte heqja e flamurit të unionit nga institucionet e Bashkimit Europian në Bruksel.

Në Irlandën e Veriut protesta kundër Brexit u mbajtën pranë kufirit me Republikën e Irlandës.  

A2 CNN Livestream

Dita jonë