Historia e një krimi që ndryshoi përgjithmonë botën

Publikuar më: 1/2/2020, ora 11:07

Historia e një krimi që ndryshoi përgjithmonë botën

Publikuar më: 1/2/2020, ora 11:07

27 janari i këtij viti shënoi 75-vjetorin e tragjedisë së Holokaustit. Në vitin 2002, Kombet e Bashkuara e shpallën këtë datë, si Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit, në nder të miliona viktimave të gjenocidit të Gjermanisë Naziste, krime që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për të shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie…

Në kampin Aushvic humbën jetën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes apo siç kujtohen sot, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945, në të cilat u gjetën ende gjallë 7 mijë të burgosur. Por kthehemi pak pas në histori.

Në vitin 1933, Partia Kombëtare Socialiste e Punës mori pushtetin në Gjermani, me diktatorin Adolf Hitlerin si lider i saj. Nazistët kishin pasur edhe më herët mbështetje të fortë në Nuremberg dhe për arsye politike dhe më shumë praktike, zgjodhën këtë qytet për të mbajtur edhe fushatat e tyre mes viteve 1933-1938. Në shtator të 1935, ligji i Nurembergut, që shtypte të drejtat civile të hebrenjve kaloi.

Një vit më vonë, në 36-ën, anëtarët e vjetër të Partisë Naziste, përfshirë këtu edhe Hitlerin dhe Rudolf Hess, që më pas u bë komandanti më jetëgjatë i kampit të përqendrimit të Aushvicit, mbërritën në Nuremberg për të parë qytetin e për të organizuar një takim atje si dhe për të zbarkuar trupat ushtarake, që mbajtën edhe një marshim gjatë Kongresit vjetor të Partisë Naziste.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat pushtuese gjermane ngritën kampin Aushvic-Birkenau në jug të qytetit polak të Osviecim, rreth 70 km nga qyteti i dytë më i madh i Polonisë, Krakov. Aushvic u ngrit në maj të 1940 në ish kazermat e vjetra ushtarake të Polonisë. Viktima e parë në këtë kamp u regjistrua në shtator të 1941-shit, pasi vdiq në një nga dhomat e gazit. Aushvic II apo Birkenau u hap në tetor të vitit 1941. 4 dhoma të mëdha gazi iu shtuan kampit për 3 muaj, gjer në janar të vitit 1942.

Mes viteve 1940-1945, Aushvic u shndërrua në një kamp të mirëfilltë vdekjeje, me një kompleks kazermash, fabrikash, dhoma gazi e krematoriume, ku humbën jetën thuajse 1a5 milionë njerëz, shumica prej tyre hebrenj. Grupi më i madh i viktimave, gati 75 mijë vetë, ishin polakë. Prej tyre, gati 20 mijë ishin romë.

Në fund të vitit 1941, nazistët formuluan “Zgjidhjen finale”. Vendimi për të vrarë e ekzekutuar 11 milionë hebrenj u morr gjatë Konferencës “Wannsee”, që u mbajt pranë Berlinit në janar të vitit 1942, ku zyrtarët më të lartë nazistë koordinuan lëvizjet, për atë që do të shndërrohej në makinerinë më të ashpër të vrasjeve masive në histori.

Nazistët dizajnuan dhe përmirësuan mekanizmin e ri të vrasjes së njerëzve. Të burgosurit u vranë me gaz, në dhomat e ndërtuara enkas për këtë qëllim e të pajisura me gaz-vdekjeprurës Zyklon B.

Radha për të bërë dush ishte justifikimi më i zakontë për ti marrë të burgosurit nga dhomat ku qëndronin në kamp e për ti futur më pas në dhomat e gazit. Tonelata me flokë të prera nga kokat e të burgosurve dhe rrobat e çizmet e tyre, u gjetën më vonë, pasi kampi u çlirua.

Aushvic u lirua më 27 janar të vitit 1945 nga ushtria sovjetike, ushtarët e së cilës arritën të shpëtojnë e të nxjerrin të gjallë nga kampi famëkeq 7 mijë të burgosur, pasi gjermanët u tërhoqën. Kampet u shndërruan në simbolikën e holokaustit, me thuajse 1,5 milionë të burgosur që humbën jetën në dhomat e gazit, në temperature disa gradë nën zero, nga uria, sëmundje të ndryshme, eksperimente të ndryshme mjekësore dhe nga puna e sforcuar, e rëndë dhe me orë të gjata.

Disa muaj pas çlirimit të kampit të Aushvic, 45 roje të kampit të përqendrimit dolën përpara gjykatës në Lueneburg, qyteti në veri të Gjermanisë, nën akuzën e vrasjeve në masë. Të akuzuarit ishin meshkuj e femra, që për më shumë se 5 vite shërbyen si roje por quheshin funksionarë të të burgosurve. Të 45-të kishin punuar në kampet e Aushvic dhe Bergen-Belsen ndaj dhe gjyqi ndaj tyre u njoh si “Gjyqi Belsen”.

Joseph Kramer, i njohur gjerësisht si “Bisha e Belsen” ishte komandanti i dy kampeve, që shërbeu fillimisht në Aushvic ku vuri diktatin e tij dhe më pas në Bergen-Belsen. Ai u arrestua pak pas çlirimit të kampit dhe u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake britanike, e cila e dënoi me varje.

Irma Grese ishte një roje, krahu i djathtë e paraushtarakëve nazistë në kampet e përqendrimit të Ravensbruck dhe Aushvic. Ajo u dënua gjithashtu me vdekje dhe u ekzekutua në dhjetor të vitit 1945.

Më 20 nëntor të vitit 1945, sytë e të gjithë botës ishin fokusuar në Pallatin e Drejtësisë në Nuremberg. Vetëm 5 muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, 21 ish drejtues të lartë të partisë naziste dolën në gjyq. Mbi ta rëndonin 4 akuza: plan i përbashkët apo komplot, krime kundër paqes, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Mes tyre spikatën emrat e Hermann Goering, ish marshall, besnik i Hitlerit dhe shef i “Luftwaffe”, një njësie ajrore që bashkërendonte veprimet me ushtrinë gjermane si dhe Rudolf Hess, zëvendësi i Hitlerit dhe komandanti më jetë gjatë që ka shërbyer në kampin e Aushvic.

Bashkë me to, përpara gjyqit doli edhe Joachim von Ribbentrop, ish ministër i jashtëm. I destinuar për të vijuar për plot 10 muaj, gjyqi u mbajt në qytetin kur partia naziste organizonte takimet e saj të përvitshme. Gjykata e gjeti Goering fajtor për të 4 akuzat dhe e dënoi atë me vdekje. Goering helmoi veten në qeli, pak minuta përpara ekzekutimit. Edhe Von Ribbentrop u shpall fajtor për 4 akuza dhe u var bashkë me 10 të akuzuar të tjerë, më 16 tetor 1945. Rudolf Hess, zëvendësi i Hitlerit po ashtu u gjet fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm, pavarësisht argumenteve të gjykatës sovjetike se ai duhej dënuar me vdekje, njësoj si të tjerët.

“Privilegji i çeljes së gjyqit të parë në histori për krime kundër paqes në botë, të vendos përpara një përgjegjësie të jashtëzakonshme. Veprimet e gabuara që ne kërkojmë të dënojmë dhe ndëshkojmë kaq qenë aq të përllogaritura, aq të këqija dhe aq shkatërruese, sa civilizimi s’do të mund të tolerojë që ato të injorohen sepse nuk duhet të përsëriten kurrë më”, shprehej asokohe gjykatësi John Jackson.

Sot, 75 vjet më vonë, ajo çka mbetet është thjesht përkujtimi, rikthimi në kohë për të mësuar të vërtetat e asaj çka ndodhë, përmes historive njerëzore, edhe të atyre që i mbijetuan kampit. Sot ai është shndërruar në një muze, i frikshëm për nga ndjenja që përcjell, edhe pse më shumë se 2 milionë njerëz e vizitojnë atë çdo vit. Vizita atje nuk është një mësim për historinë por një moment reflektimi mbi përgjegjësinë.

I gjithë kampi përbëhej nga një kompleks ndërtesash, ish-godina të vjetra në shërbim të ushtrisë polake, ndarë në vitin 1940 në 40 ndërtesa përqendrimi dhe asgjësimi, siç quheshin nga nazistët. Më i madhi ishte Aushvic, më pas Birkenau, të cili iu shtuan edhe dhomat e gazit si dhe një kamp më vete pune, për të krijuar aty agjentët kimikë. Të burgosurit në kamp torturoheshin nga rojet, rriheshin dhe më pas ekzekutoheshin për motive të ndryshme.

Më famëkeqi ishte Blloku 11, atje ku në gusht të 41-shit, nisën edhe ekzekutimet në dhomën e gazit. 802 të burgosur tentuan të arratiseshin, 144 ja dolën me sukses. Vetëm 789 vetë, pjesë e stafit që kujdesej për kampin, dolën përpara gjyqit pas çlirimit të tij, gati 15% e totalit. Në dekadat pas luftës, të mbijetuarit e Aushvic si Primo Levi, Viktor Frankl dhe Elie Wiesel shkruan kujtimet për eksperiencën e tyre dhe kampi u bë simbol dominues i Holokaustit. Në vitin 1947, Polonia vendosi krijimin e Muzeut Shtetëror të Aushvic-Birkenau dhe në vitin 1979 ai u bë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Dëshmitë e të mbijetuarve

Tatyana Fomina ishte një vajzë e vogël në atë kohë por dëshmitare e gjithçkaje ndodhi në Aushvic. Bashkë me familjen, Tatyana jetonte në një fshat të Bjellorusisë ndërsa pa babanë e saj, të digjej i gjallë nga trupat gjermane në vitin 1943. Në tetor të atij viti, Tatyana dhe familja e saj, ajo që i shpëtoi zjarrit, u dërgua në kampin famëkeq. Rrëfimi është i jashtëzakonshëm dhe ajo mban mend çdo detaj, të çdo dite të kaluar në Aushvic.

“Babai im më mbështolli me lëkurë dhe më dorëzoi tek nëna. Ajo ish ulur bashkë me vëllerëzit dhe motrat, ishim 4. Më dorëzoi tek nëna dhe tha: Agasha, të lutem, kujdesu për më të voglën. Ajo ishte hera e fundit që unë e pashë tim atë”, kujton ajo.

“Ata na shtynë pas 500 metra, në hyrje të pyllit dhe po rrinim pranë njëri tjetrit dhe shihnim të frikësuar sesi gjermanët derdhën benzinë e vajguri gjithandej dhe më pas i vunë flakën. Ne rrinim e shihnim sesi të dashurit tanë u dogjën të gjallë. Nazistët na merrnin ne fëmijëve gjak, na merrnin shumë gjak, sidomos djemve që ishim më të fortë, aq sa ata më pas humbnin ndjenjat. Nëse kalonin në atë gjendje, direkt i dërgonin në krematorium”.

Tatyana tregon fotot e fëmijërisë… “Nuk kishim fare fuqi, nuk na lejonin të flisnim as në rusisht apo bjellorusisht, lejohej që të flisnim vetëm në gjuhë polake apo gjermanisht por ne nuk dinim. Nëse rojet na dëgjonim që flisnim me njëri tjetrin në gjuhën amtare, na ndëshkonin. Në fund të kazermave, kishte një tualet të madh, ku çdokush mund të zhytej brenda, të mbytej me forcë e gjithçka tjetër. Ne kishim frikë nga gjithçka, ne donim të jetonim. Mendonim që së paku nëna jonë të ishte gjallë sepse babain e dinim tashmë që kish vdekur. Shpresonim që të shpëtonim”.

Tatyana atëherë ishte vetëm 8 vjeçe, nuk e mban mend ditën e çlirimit por kujton që më pas e dërguan në një jetimore në Moskë, së pari për të marrë veten fizikisht e mendërisht, derisa nisi shkollën në vitin 1946.

Ushtari sovjet, Ivan Martynushkin, komandant i regjimentit të Parë të frontit ukrainas, ishte ndër ushtarët që mbërritën në Aushvic dhe një ndër të vetmit ende gjallë, që kujton ditën e çlirimit.

“Kur ne arritëm në Aushvic, nuk e kishim idenë që atje kishte një kamp përqendrimi. Ne pamë një fushë me tela gardh përqark, pamë kulla vrojtimi dhe ndërtesa të vjetra prapa gardhit. Fillimisht menduam se bëhej fjalë për një bazë ushtarake të madhe gjermane me pajisje ushtarake”, kujton Ivan Martynushkin

veteran i ushtrisë së kuq, çlirues i kampit. “Çfarë mund të them për njerëzit që kanë kaluar një kohë aq të gjatë në atë ferr, dukej qartë që në pamjen e tyre se çfarë kishin përjetuar dhe çfarë kishin ndjerë. Mjaft ti shihje në fytyrë, sytë e tyre thoshin gjithçka. Ata e kuptuan që liria dhe çlirimi nga ai kamp më në fund kish ardhur. Sigurisht në atë moment sytë e tyre shkëlqenin, nga gëzimi”.

“Ndjeva menjëherë erën e pakëndshme dhe të frikshme të djegies, kudo ku shkela. Kur ecëm disa metra, për të hyrë më në brendësi të kampit, një nga ushtarët që kisha në krah, me zë të mekur më tha se kish parë një pirg me trupa të djegur, teksa po hynte në kamp. Gjermanët, rojet, kishin shpërthyer me bombë krematoriumin, një javë para mbërritjes sonë atje. Ndaj dukej sikur kudo kish veç trupa të djegur, të cilat askush nuk kish denjuar t’i largojë”.

Në kërkim të të afërmve

Një fotografi e vjetër dhe teknologjia më e fundit, ajo e njohjes automatike të fytyrës, mund të ndihmojë sot 2 vëllezër izraelitë të bien në gjurmët e vëllait tjetër, që i shpëtoi holokaustit, 75 vite më parë. Në kërkim të një përgjigjeje nga e shkuara, Eli dhe Saul Lieberman janë rikthyer në qendrën e kërkimit në Izrael, ku teknologjia sot ofron mundësinë e përshtatjes së fotografive të të mbijetuarve me fotot e vjetra të kohës së Luftës së Dytë Botërore, në databazën me mijëra foto, të realizuara në atë kohë nga vetë ushtarët gjermanë. Në foto shfaqen vetë ushtarët gjermanë si dhe njerëzit në fshatrat apo qytetet me popullsi hebreje. “Kemi shumë pak informacion rreth vëllait tim, dimë shumë shumë pak. Gjithçka di i kam mësuar nga burime të huaja. Ndërsa për babain, nuk mësuam kurrë asgjë”, tha Saul Lieberman, i mbijetuar.

Qendra Përkujtimore e Holokaustit “Shem Olam” ka lancuar projektin e quajtur “Ballë për ballë” në muajin korrik të vitit të shkuar, ku përmes rrjeteve sociale i bën thirrje njerëzve të dërgojnë foto për njohjen e përshtatjen e fytyrës përmes skanimeve.

Vetë Eli dhe Saul janë të mbijetuar të kampit të Aushvic. Përmes fotove të vjetra të viteve 45-50, ata synojnë të gjejnë të vëllain e të mësojnë për historinë e familjes së tyre.

“Ballë për ballë është projekti i parë që synon të krijojë një përballje, një përafrim të realitetit sot dhe historisë së 75 viteve më parë, pas holokaustit. Ai nuk ishte vetëm realiteti i 6 milionë hebrenjve, që humbën jetën. Është edhe realiteti e historia e atyre që i mbijetuan atyre torturave dhe atij kampi vdekjeprurës e të cilët prej asaj kohe nuk kanë asnjë lidhje me të shkuarën”, Avraham Krieger, drejtor i qendrës përkujtimore “Shem Olam”.

Deri më tani, qendra e kërkimeve Shem Olam, ka marrë mijëra foto nga publiku por vetëm disa prej tyre kanë përkuar me njerëzit që kërkojnë të afërmit. “Po flasim për disa teknologji të avancuara, të cilat ne i përdorim. Gjithçka ofrohet falas për publikun, në mënyrë që çdokush të mund të gjejë e të krijojë kontakte me familjarët e tyre, të zhdukur pas holokaustit”, Assaf Fassy, menaxher i shërbimeve digjitale.

“Për shkak të luftës, për shkak të holokaustit, për të shkak të gjithçkaje që është shkatërruar, nuk ka mbetur asnjë foto, asnjë dokument. Ndaj tani ne po përpiqemi të ribëjmë gjithçka. Tani së paku mund ta provoj fatin, të bashkoj copëzat e një pazëlli dhe të krijoj një pikturë, një fotografi, sado e vogël qoftë”, Eli Lieberman, i mbijetuar.

“Mendoj se nuk mund të vazhdojmë përjetësisht me idenë se nuk dimë asgjë. Jetojmë në këtë botë, ku s’mund të sigurojmë më asnjë dokument tonin. Jetojmë në një botë ku vajza ime, të gjithë miqtë e saj, e dinë historinë e tyre. Kjo ka sens. Njerëzit duan të dinë nga vijnë”, thotë Saul Lieberman, i mbijetuar.

 “Mjaftonte një tatuazh që të mbetet në trup e në lëkurë për gjithnjë. Ai ishte emri nga dita kur shkelje në Aushvic. Një numër që të shoqëron përjetë e që është numri i të burgosurit e që përkon me ditën kur mbërrije në kamp”… Avraham Harshalom mbërriti në Aushvic në vitin 1943. E mban mend shumë mirë numrin e tij.

“Në Aushvic askush nuk dinte emra. Oficerët gjermanë, kur flisnin me ty, të thërrisnin në emër. Është histori e gjatë. Ky është 75-vjetori. Por 20 vitet e para pas holokaustit, të gjithë ne të mbijetuarit, e kryesisht të burgosurit e Aushvic, nuk flisnim fare, as me median e as me njëri tjetrin. Ne nuk tregojmë sepse njerëzit nuk na besojnë por sepse kur na dëgjojnë, thonë: si ka mundësi që nga gjithë ai ferr, ju mbijetuat? Dhe historia e mbijetesës është vërtet histori e komplikuar. Çdokush nga ne, ka historinë e tij se si mbijetoi”, thotë ai.

Harshalom është një nga 200 mijë të mbijetuarit e Holokaustit, që sot jeton në Izrael. Ai thotë se cdo vit që kalon, aq më të pamundur e ka të sigurojë, edhe për veten e tij, prova të krimeve të frikshme të kryera nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku 6 milionë hebrenjtë humbën jetën. Harshalom kish lindur në një fshat të vogël të Polonisë dhe ishte 17 vjeç kur mbërriti në kamp. Menjëherë u përzgjodh nga oficerët si krah pune dhe kjo duket se i shpëtoi jetën. Ata që nuk pranonin punën, dërgoheshin menjëherë në dhomat e gazit: dënim me vdekje. Në Aushvic, Avraham humbi nënë dhe vëllain.

“Njerëzit atje ndaluan së menduari normalisht. Truri nuk funksiononte më. Të gjithë ne mendonim vetëm sesi të siguronim veç një copë bukë dhe sesi të mos vriteshim nga gjermanët.

Artemis Meron, nga një komunitet hebre në Greqi, ishte 15 vjeç në vitin 1944, kur u dërgua në Aushvic me nënën dhe vëllain 9 vjeç. Ajo tregon se shumë njerëz humbën jetën që rrugës, pa mbërritur në kamp.

“Ne nuk dinim ku po shkonim. Donim vetëm të ishim bashkë. U përqafuan. Mendoj se ngjaja më e madhe në moshë për shkak të një palltoje me pelush që nëna më kish hedhur krahëve sepse jashtë binte borë. Gjermanët menduam se jam e rritur dhe më goditën, me hodhën në tokë dhe nënën e vëllain i futën në një makinë, e mbyllën derën dhe u larguan. Nuk pata rastin as t’i them lamtumirë, arrita të thosha nën zë vetëm mirupafshim”, Artemis Meron, e mbijetuar. “E keqja më e madhe ishte se ne nuk dinim asgjë, nuk kishim kë të pyesnim se çfarë ndodhi me familjarët tanë. Më pas mësuam të vërtetën. Pastaj nga larg dallonim tymin. Mendonim se gatuanin në kuzhinë, për të gjithë ata që mbaheshin të burgosur. Në atë kohë kurrë nuk e mendonim se bëhej fjalë për krematorium. Pastaj thosha me vete: për çfarë të jetoj, edhe nëse lufta mbaron?”.

“Sot mendoj, si mund të ndodhë diçka e tillë në shekullin e 20 dhe askush, asnjë vend nuk mund të ndihmojë, thjesht sepse gjermanët vendosën të shfarosin çdo hebre në botë? Pyes sepse nuk kam marrë asnjë ndihmë nga askush, as nga kryqi i kuq, i cili nuk u përfshi në këtë histori. Jam shumë e nevrikosur. Ndihem shumë keq për këtë gjë. Shoh fëmijët e mi, nipërit dhe mbesat dhe ky është i vetmi ngushëllim që kam”

Vera Grossman Kriegel, sot 81-vjeçe, është një tjetër e mbijetuar e kampit të vdekjes. Në moshën 6-vjeçare, vera dhe motra e saj binjake iu nënshtruan eksperimenteve pseudo-mjekësore të mjekut Josef Mengele, i cili i përdorte të burgosurit e Aushvic si subjekte kërkimore, duke i dhënë atij emrin “Engjëlli i vdekjes”. Vera dhe motra e saj ishin ndër të paktët fëmijë që i mbijetuar dashakeqësisë dhe makabriteteve të tij. Ajo tregon se mbahej nga doktori në një kafaz, krejt e zhveshur dhe i bëheshin injeksione direkt e në shtyllën kurrizore. Ndërsa për muaj të tërë ka parë bashkëmoshatarë të saj, të rrihen barbarisht e të ndërrojnë jetë. “Zoti donte që unë të mbetesha gjallë dhe të tregoja historinë time”, kujton ajo. “Në fund të kazermave, kishte një kafaz, tamam si kafaz kafshësh, ku vendoseshin majmunë, lepuj, nuk e di, kafshë të ndryshme. Të hiqnin rrobat, ti ulesh atje. Unë dhe motra ime bashkë me nënën, bashkë me ne edhe dy binjakë të tjerë, ndoshta 10 vjeç. Për rreth 2 javë, pa pushim, Mengele dhe ekipi i tij, nga kanë bërë gjithë kohës injeksione në shtyllën kurrizore”.

“Ato gjilpëra na dhanë simptoma të tmerrshme, të vjella dhe temperaturë të lartë. Dhimbja ishte e jashtëzakonshme. Dhe ishte e ndaluar rreptësisht të qaje. Kush qante, rrihej. Ai më kapi nga jaka e palltos, më goditi dhe më hodhi në fund të bllokut, në fund të kazermave. Goditja ishte e fortë. Me vete mendoja se erdhi fundi. Por ai nuk do të shohë kurrë një pikë loti në sytë e mi. nuk ka shanse. Nuk do më thyejë. E mendoja si çdo njeri tjetër, me dy duar, një fytyrë, dy veshë. Por përse po ma bën këtë gjë. i mbaja sytë gjatë gjithë kohës të ngulura tek sytë e tij. Mengele ishte djalli vetë por kur më shihte  në sy, ulte sytë”.