Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Njeriu i fundit në Tokë!

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2020, 11:48 | Aktualitet
Njeriu i fundit në Tokë!

Shkrimtari i njohur Oscar Wilde thotë se “Të jetosh është gjëja më e rrallë në botë. Shumë njerëz thjesht ekzistojnë”.

Por imagjinoni sikur ju zgjoheni një ditë dhe zbuloni se jeni personi i fundit i mbetur në këtë planet. Pak e frikshme dhe emocionuese, apo jo?

Pa obligime, pa rregulla dhe pa limit, mund të bëni ç’të doni.

Ku shkuan të gjithë njerëzit? U zhdukën papritur? Shkuan në hapësirë në një festë surprizë? Për çfarëdolloj arsye, ju jeni personi i fundit në këtë planet. Por çfarë bëni sapo e mësoni këtë? Hani çfarë të doni? Zhvendoseni të jetoni në pallate mbretërore? Udhëtoni me shpejtësi të lartë me makinë? shpërtheni objekte? Ecni zhveshur gjithë kohës? Apo do të pretendonit sikur nuk jeni vetëm? Sociologia dhe shkrimtarja e librit “Sociologji emigrimi dhe integrimi social”, Matilda Likaj, na shpjegon se çfarë mund të përjetojë njeriu nëse vetmohet.

“Në rast se flasim nga ana psikologjike, shpeshherë individi mund të ndihet mirë për një periudhë të caktuar kohore, por jo përgjithmonë. Sepse këtë e kemi parë”, thotë Matilda Likaj, sociologe dhe shkrimtare. “Mund të jetë një periudhë e shkurtër kohore që i bën të bëhen mirë, por mund të jenë edhe individë jo aq të mirë sa mund të kenë qenë më parë”.

Në rast se flasim për individin, shpeshherë individi mund të ndihet mirë. Por pyetja më e rëndësishme, sa gjatë do të jetonit?

Në këtë puntatë do t’iu mësojmë se si të mbijetoni, nëse do të ishit personi i fundit në botë!

“Njeriu, nga natyra e tij e ka të detyruar të jetë pjesë e shoqërisë, por edhe pse mund të distancohet është e pamundur të shkëputet komplet”, thotë sociologia Likaj.

Hapi i parë: shijoni gjërat e mira, sa keni mundësi. Shkoni të konsumoni frutat ekzotike në fillim. Nëse Mangot dhe Bananet janë të importuara nga jashtë, shanset janë se nuk do të vijnë ndonjëherë aty ku jetoni ju. Kështu që shijojini sa mundeni dhe çdo kafshatë të fundit të tyre.

Hapi i dytë: gjeni një burim të sigurt karburanti. Ju mund të mendoni se duke qenë se askush nuk ju ndalon, mund të shkoni ku të dëshironi. Por nuk është kështu. Të gjitha ato automjete, anije dhe avionë të braktisur, që i shikoni pa lëvizur, do të bëheshin të papërdorshëm brenda dy viteve për shkak të dekompozimit të karburantit të tyre. Të imagjinojmë sikur ju jeni ende gjallë. Por edhe për sa gjatë?

Hapi i tretë: gjeni një vendbanim për të qëndruar. Nëse uji, ushqimi dhe strehimi janë nevojat tuaja bazike; strehimi do të ishte detyra më e thjeshtë për ta plotësuar. Praktikisht do të kishit një planet me shtëpi për të zgjedhur se ku do të banonit!

Por kujdes se ku do të qëndronit. Qytetet do të bëheshin të rrezikshëm, pasi pa mirëmbajtjen e nevojshme ata fillojnë e shkatërrohen shumë shpejt. Elementet e natyrës: shiu, ngricat dhe nxehtësia do të bënin punën e tyre.

Kalbëzimi dhe myku do bëheshin të kudogjendur dhe gjelbërimi do të pushtonte betonin dhe të shkatërronte dyer e dritare duke hyrë Brenda ndërtesave. Por edhe nëse do të ishit në gjendje të luftonit mbrapsht dëshirën e natyrës për të treguar zotërimin e tokës, mjafton vetëm një vetëtimë për të nisur një zjarr masiv në pjesën më të madhe të qytetit. Dhe duke parë që s’mund të thërrasësh zjarrfikësit, vraponi që të ikni sa më larg që mundeni.

Hapi i katërt: mundësojini vetes mbrojtje. I gjithë ambienti ku jetoni nuk është më aq i sigurt. Para se të gjithash, ka shumë grabitqarë ndaj të cilëve duhet të mbroheni. Qen dhe mace të tërbuar… arinj… Por ju duhet të shqetësoheni për ta vetëm pasi të siguroni që mund të frymoni akoma.

Ka mbi 400 centrale bërthamore në të gjithë botën. Dhe pasi sistemi i tyre i sigurisë i automatizuar të nisë të dështojë pa mbikëqyrjen e njeriut, do të kishte ndotje të niveleve tepër të larta në të gjithë planetin, duke bërë shumë zona thjeshtë të pabanueshme. Por duhet të mbroni dhe veten nga iluzionet.

“Iluzionet dhe realja, në botën që jetojmë është pak e vështirë të ndahen nga njëra-tjetra, sidomos për brezat e rinj”, thotë sociologia Likaj. “E kemi parë që teknologjia, stimulimet informative që vijnë prej saj, të mundësojnë të formosh botën joreale, të stimulojnë iluzionet për diçka që nuk paraqitet në jetën e përditshme. Megjithatë individi e ka të detyrueshme të përdorë imagjinatën, por shfrenimi apo lënia e saj deri në iluzione krijon identitete që nuk janë të vërteta dhe ndikojnë negativisht tek individët dhe grupet shoqërore”.

Hapi i pestë: mundësojini vetes ushqim. Sa i përket kësaj, të jetoni në qytet nuk do të ishte ideale për ju. Supermaketet kanë mjaftueshëm ushqim të konservuar që ju mjafton për shumë dekada. Ndërsa në fshatra, bagëtitë do të nisnin të veniteshin pa përkujdesjen e duhur apo pa mbrojtje nga grabitqarët.

Por nëse stili juaj është natyral, ju do riktheheshit në kohërat e lashta duke bërë gjueti me hark dhe shtizë. Kjo do të ishte zgjidhja juaj më e mirë, duke parë se sigurimi i municioneve do të ishte tepër i vështirë. Ndoshta do të krijonit kopshtin tuaj të vogël me perime, por kjo do të ndërhynte tek resurset tuaja të ujit.

Hapi i gjashtë: gjithçka sillet rreth ujit. Pa njerëzit e tjerë, ju do të ishit pa energji elektrike. Ujësjellësit dhe qendrat e pastrimit të ujit do të dilnin jashtë funksionit. Uji i pijshëm i mbajtur në rezervuare do të bëhej i pakonsumueshëm shumë shpejt. Mund të mbështetin tek shishet plastike të mbushura me këtë element natyror kaq të nevojshëm, që mund t’iu zgjaste për shumë kohë. Por sërish do ishit të detyruar të mësonit ta purifikoni vetë.

Hapi i shtatë: bëhuni të zgjuar. Duhet t’i mësoni vetes shumë gjëra. Por jeni shumë me fat dhe keni shumë kohë në dispozicion dhe miliona libra me të gjithë informacionin që ju duhet për të mbijetuar të vetëm. “Komunikimi është baza e raporteve të përditshme. Në rast se individi nuk komunikon atëherë do të thotë që nuk do të kishte hapësira për integrimin në grupe. Pra ngushtimi i komunikimit bën që të ngushtohet mendja”, thotë sociologia Likaj.

Mund t’iu duket e vështirë në fillim, por teknikisht ju mund të mbijetoni edhe sikur të ishit njeriu i fundit i këtij planeti. Por pyetja është a do të donit vërtetë? “Në perspektivën time si individ, por edhe studiuese, individi gjithmonë është pjesë e shoqërisë”, thotë Likaj.

Njerëzit janë zhvilluar gjithmonë pranë njëri-tjetrit si krijesa sociale në mënyrë që të mbijetonin. Kemi bashkuar fuqitë kundër urisë dhe motit të ashpër, dhe kemi krijuar familje dhe komunitete për të ndarë histori, ndjenja dhe për të mbajtur njëri-tjetrin të lumtur dhe të shëndetshëm.

Kontakti njerëzor është provuar shkencërisht se krijon besim dhe redukton stresin. Kështu që pavarësisht se është i prirur të kufizojë stilin tuaj, duhet të jeni falënderues që është një botë e vogël. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin më shumë seç mendoni…

Ritakohemi sërish në imagjinatën e radhës…

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu