Përkujtohet Holokausti, plani i paqes i Trump dhe përhapja e koronavirusit

Përditësuar më: 26/2/2020, ora 17:33

Përkujtohet Holokausti, plani i paqes i Trump dhe përhapja e koronavirusit

Përditësuar më: 26/2/2020, ora 17:33

Bota iu rikthye edhe një herë kapitullit më të errët të historisë së saj, në 27 janar. Është koha kur të gjithë ndalen dhe refektojnë mbi pasojat e urrejtjes, kostos së indiferencës dhe nevojës për kujtesë. Çlirimi i kampit famëkeq të Aushvicit nga ushtria e kuqe sovjetike në vitin 1945, shënohet që prej vitit 2005 si dita e kujtimit të Holokaustit.

Këtë vit u konsiderua si veçanërisht i rëndësishëm, jo vetëm sepse mund të ishte përvjetori i fundit i madh me praninë e të mbijetuarve të Holokaustit, por edhe për shkak të ndjesive antisemitiste në rritje. Ndërsa politika përplaset për gjetjen e fajtorëve të rinj të pandëshkuar të historisë, dëshmitarët e fundit të krimeve më çnjerëzore që njohu bota, luten për të mbajtur gjallë kujtimin, në mënyrë që kurrë më ngjarje të tilla të përsëriten.

Të mbijetuar të Holokaustit dhe liderë ndërkombëtarë nderuan viktimat e nazizmit në ish-kampin e vdekjes, Aushvic, mes thirrjeve për të luftuar ndjesitë anti-semitiste në rritje. 75 vjet pasi trupat sovjetike çliruan kampin famëkeq, Presidentët e Izraelit dhe Polonisë,Reuven Rivlin dhe Andrzej Duda, vendosën kurora me lule në të ashtuquajturin murin e vdekjes, ku nazistët vranë mijëra të burgosur. Rreth 1,1 milionë njerëz, kryesisht hebrej, u vranë në Aushvic-Birkenau. 

Andrzej Duda, President i Polonisë, u shpreh: “E vërteta mbi Holokaustin nuk mund të vdesë. Kujtimi i Aushvicit duhet të mbetet i gjallë në mënyrë që një asgjesim i tillë të mos ndodhë më në historinë e botës”. Presideti izraelit paralajmëroi ndaj atyre që i quajti zëra që përhapin urrejtjen dhe kërcënojnë demokracinë. Reuven Rivlin deklaroi: “Detyra jonë është të luftojmë anti-semitizmin, racizmin dhe nostalgjinë fashiste”. 

Ka pasur shqetësime në rritje për nivelin e lartë të intimidimit anti-semitist, dhunën në disa vende dhe gjithaahtu gjuhën e urrejtjes në internet. Në Paris, Presidenti francez Emmanuel Macron foli në një ceremoni me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit. Murit të kujtesës, i njohur si Shoah Memorial, iu shtuan 175 emra të tjerë dhe 1498 ditëlindje pas kërkimeve në arkivat e Holokaustit.

Emmanuel Macron tha: “Rikthimi i antisemitizimit nuk është një problem vetëm për hebrenjtë, por për të gjithë ne. Është një problem i Republikës”.

Më shumë se 200 të mbijetuar udhëtuan në Aushvic nga e gjithë bota për të shënuar 75-vjetorin. Shumë mbanin shallë bardhë e blu, për të kujtuar uniformat e viktimave në kampet e përqëndrimit. Mes tyre ishte edhe 75-vjeçarja Jadëiga Ëakulska, e cila lindi në kamp pak muaj para çlirimit: “Nëna ime më mbante në krahët e saj kur isha 4-muajshe, ndërsa ajo qëndrone në radhë drejt dhomës së gazit. Ishte koha kur ata i asgjesonin të gjithë të burgosurit. Ne po u afroheshim gjithmonë e më shumë bllokut të gazit dhe një gjerman më pa mua. Ai më pa dhe meqë isha një bebe me flokë të verdhë dhe sy blu më mori veç e më tha se do të mbijetoja. Falë kësaj ne shpëtuam. Nëna ime falenderoi faktin se unë ngjaja si nordike. Shpëtova atë dhe veten”. 

Por, cilat ishin disa prej deklaratave më të rëndësishme që shoqëruan ngjarjen përkujtimore? Për herë të parë në historinë e vendit, kryeministri holandez bëri një apologji për dështimin e qeverisë në mbrojtjen e hebrejve gjatë Holokaustit.

90-vjeçarja rikthehet në Aushvic: Mund të ndjej ende erën e mishit që digjet

Më shumë se 200 të mbijetuar të Aushvicit u rikthyen edhe një herë në kampin e vdekjes, i cili rizgjoi kujtime drithëruese. Jona Laks ishte një prej tyre. 75 vite më vonë, në krah të mbesës 28-vjeçare, rrefën për dhimbjen, por edhe triumfin ndaj të keqes së pakufijshme.

Jona Laks mund të nuhasë ende erën e mishin që digjet ndërsa ecën drejt krematoriumit të Aushvicit. Më shumë se 75 vjet më vonë, në moshën 90-vjeçare, ajo rikthehet në kampin më famëkeq të vdekjes në Luftën e Dytë Botërore.

“Mund ta shoh akoma. Mund të shoh tymin që del nga oxhaku dhe mund të ndjej erën e mishit që digjet. Ndërsa afrohem, më duket sikur diçka do të ndodhë. Nisa të qaj, por nuk dua që motrat e mia të më shohin duke qarë”, thotë e moshuara.

Jona ishte rreth 14 vjeç kur u dërgua në Aushvic në vitin 1944, bashkë me motrën binjake Miriam dhe motrën më të madhe Chana, nga getoja hebreje e Lodzit në Poloninë e pushtuar nga nazistët. Periudhës më të errët të jetës iu rikthye këtë javë, si e ftuar nderi në ceremoninë përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit të Aushvic-Birkenau. Në udhëtimin nga shtëpia e saj në Izrael e shoqëronte mbesa 28-vjeçare, Lee Aldar. Sa më shumë i afrohej kampit, aq më shumë tensionohej: “Jam nervoze. Po përpiqem ta kontrolloj veten. Ka nga ata që nuk duan të flasin për këtë. Duan ta lenë të shkuarën pas. Por, ne jemi të mbijetuarit e fundit dhe nëse nuk flasim, nëse nuk tregojmë, gjithçka do të harrohet. Do të ishte sikur të mos kishte ndodhur”.

Ndërsa automjeti i afrohej kampit, Jona kujton momentet e para aty: “Duket sikur ishte fundi i botës, çdo gjë ishte e errët, mizore, e pashpjegueshme”.

Nën portën metalike të Aushvicit, ku gjendet slogani “Arbeit macht frei” (“Puna ju jep lirinë”), Laks u ndal për pak para se të hynte, krah më krah me mbesën e saj: “Nga kjo portë e ngushtë hynë kaq shumë njerëz dhe nuk u kthyen më. Jeta e tyre mori fund pas këtij gardhi me tela”.

Më herët, në shtëpinë e saj në Tel Aviv, ajo kishte kujtuar me po aq dhimbje mbërritjen e saj në Aushvic. Me motrat dhe mijëra hebrenj të tjerë nga getoja e Lodzit u transportuan me tren. U futën në vagonë bagëtish, pa dritare dhe pa hapësirë për të lëvizur. Mendon se udhëtimi kishte zgjatur rreth 3 ditë. Pas mbërritjes iu nënshtruan përzgjedhjes. Një mjek i trupave SS do të zgjidhte se kush ishte i përshtatshëm për kampin e punës e kush do të shkonte në dhomat e gazit. Përzgjedhjen atë ditë po e bënte Joseph Mengele, i njohur si engjëlli i vdekjes në kamp: “Mengele u afrua me qentë e tij dhe shkopin në dorë. “Majtas, djathtas” ishin fjalët e tij, por as nuk i shihte njerëzit. Dukej i bezdisur”.

Mengele, mjek i SS, përzgjidhte gjithashtu të burgosurit të cilët i nënshtronte ndaj eksperimenteve pseudo-mjekësore. Kishte interes të veçantë ndaj binjakëve. Në platformë, ai zgjodhi motrat e saj për punë dhe Jonën për ta vrarë. Por, kur Chana iu lut të mos e ndante nga motra binjake, ai mendoi t’i shfrytëzonte për eksperimente dhe dërgoi një oficer të merrte laks nga krematoriumi. 

“Isha me fat, ose ndoshta e pafat. Pyes ndonjëherë nëse kafshët do t’i duronin dot mizoritë të cilave u nënshtroheshim ne. Nuk mendoj se po”, thotë e moshuara.

Blloku 10 shërbente si laborator i Mengeles, ndërsa jashtë tij gjendej një zone ekzekutimi ku ndonjëherë të burgosurit vendoseshin pas murit dhe qëlloheshin: “Nga brenda mund të dëgjonim ulërimat e atyre që vriteshin”.

Ndërsa qëndronte krah mbesës jashtë barakave të mbyllura, Laks pushtohet nga një ndjesi triumfi: “Jam këtu me mbesën time dhe e kalova. Fitova luftën. Ne kemi një të ardhme”.

Historiku i Aushvicit

I pozicionuar në Poloninë jugore, Aushvici shërbente fillimisht si burg për të dënuarit politikë. Me vonë, u zgjerua në një rrjet kampesh ku hebrenjtë dhe komunitete të tjera që konsideroheshin si armiq të nazizmit, ekzekutoheshin në dhoma gazi, apo përdoreshin si skllevër pune. 

Kur nazistët, me në krye Adolf Hitlerin, erdhën në pushtet në vitin 1933, filluan t’u përvetësonin hebvrenjve të gjitha pronat, liritë dhe të drejtat. Fushatën e shfarosjes, apo atë që e quajtën si luftën racore kundër popullsisë hebreje, por edhe komuniteteve të tjera, e nisën në vitin 1941, pas pushtimit të Bashkimit Sovjetik. Komandantët nazistë po eksperimentonin mënyra për vrasjet në masë, me shqetësimin se për ushtarët ishte stresuese të qëllonin personat me armë.

Dhomat e gazit u panë si një alternativë më efikase. Aushvici, fillimisht një kazermë e ushtrisë polake në jug të vendit, nën pushtimin e Gjermanisë naziste në vitin 1940, u kthye në një burg për të dënuarit politikë. Zona ku gjendet slogani famëkeq “Puna ju bën të lirë”, njihej si Aushvici 1. Por, ndërsa lufta dhe Holokausti vazhdonin, regjimi nazist e zgjeroi më tej atë. Në 1941 filloi puna për kampin e ri Aushvic 2-Birkenau, aty ku do të ndërtoheshin edhe dhomat e gazit ku u ekzekutuan qindra mijëra vetë dhe krematoriumi ku digjeshin trupat. Njerëz nga e gjithë Evropa dërgoheshin atje me vagonë bagëtish, pa dritare, tualete apo ushqim. Pas mbërritjes në Aushvic, ndaheshin në ata që mund të punonin dhe të tjerët që vriteshin menjëherë. Rojet e të ashtuquajturit Insituti i Higjienës do të hidhnin më pas gazin e fuqishëm Zyklon-B në dhomat e blinduara, ndërsa prisnin që njerëzit brenda të vdisnin.

Sipas studimeve akademike, një total prej 1,3 milionë njerëzish u burgosën në Aushvic dhe 1,1 milionë prej tyre vdiqën atje. Shumica e viktimave ishin hebrenj nga Evropa e kontrolluar nga nazistët, te tjerët romë, homoseksualë, dëshmitarë të Jehovait e të burgosur politikë. Trupat sovjetike hynë në kamp në 27 janar të vitit 1945 dhe që prej 2005 kjo ditë shënohet si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Holokaustit.

SHBA propozon planin e paqes Izrael-Palestinë, gëzon vetëm njëra palë

Ishte cilësuar si marrëveshja e shekullit, ajo që adminstrata amerikane do të propozonte për zgjidhjen e konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve. Plani i shumëpritur i paqes u prezantua këtë javë, por vizioni i Presidentit Donald Trump gëzoi veç Izraelin, ndërsa palestinezët e panë atë si një përpjekje për komplot. Disa prej propozimeve kryesore të strategjisë së hartuar nën kujdesin e dhëndrrit të Trump, Jared Kushner, ishin:

-Shtëpia e Bardhë do të njohë sovranitetin e Izraelit në territoret që plani i përcakton si pjesë të këtij shteti.  

-I ofron mundësi Palestinës të jetë një shtet i pavarur, mbi bazën e kompromiseve territoriale të ilustruara në një hartë konceptuale. 

-Harta e Trump “dyfishon” territorin palestinez dhe ofron një kryeqytet për shtetin e ardhshëm në periferi të Jeruzalemit Lindor.  

-Jeruzalemi do të mbetet kryeqytet i pandashëm i Izraelit, edhe pse palestinezët këmbëngulin se Jeruzalemi lindor i pushtuar gjatë luftës së vitit 1967 do të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm. 

-Sipas planit të Trump, asnjë palestinez apo izraelit nuk do të shpërngulet nga banesat e veta, çka sugjeron se kolonitë izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor do të mbeten. 

Ndërsa Presidenti Trump këmbëngul se plani i tij është me përfitim të ndërsjellë dhe se ofron zgjidhjen e shumëkërkuar të dy shteteve, analistët e mendojnë krejt ndryshe. Studiuesi Redi Shehu thotë se plani është i njëanshëm dhe cenon dukshëm sovranitetin palestinez: “Është një plan-ide, që është bërë në formë të njëanshme, pasi nuk ka pasur pjesëmarrje të palës palestineze në hartimin e tij. Do të thoja që është privatizimi i shekullit, jo marrëveshja e shekullit. Shënon privatizimin e shenjtërisë së Jeruzalemit për njërën palë. Kjo marrëveshje çon në dështimin e shtetit palestinez”.

Koronavirusi, emergjencë shëndetësore

Epidemia e koronavirusit kinez është tashmë një emergjencë shëndetësore globale. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e mori vendimin mbrëmjen e së enjtes mes shqetësimeve në rritje për përhapjen e virusit përtej Kinës. OBSH vlerësoi masat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga Kina dhe tha se nuk ka asnjë arsye për të kufizuar tregtinë apo udhëtimet në këtë vend. Megjithatë, shumë shtete po marrin masa drejt mbylljes se kufijve apo anulimit të fluturimeve, ndërsa kompani si Google, Starbucks dhe Tesla i kanë ulur qepenat atje. Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një paralajmërim të nivelit të katërt, duke i kërkuar qytetarëve të vet të rikonsiderojnë udhëtimet drejt Kinës. Autoritetet kineze ndërkohë planifikojnë të përdorin çarterat për rikthimin e banorëve të rajonit të Hubei që janë jashtë vendit, për shkak të vështirësive praktike me të cilat po përballen ata.

Numri i viktimave shtohet çdo ditë, ndërsa të infektuarit janë me mijëra. Rastet me koronavirus në rang global i tejkaluan ato të epidemisë SARS, e cila u përhap në mbi 20 vende në vitin 2003. Persona të infektuar u identifikuan edhe në Britaninë e Madhe dhe Italinë fqinje, e cila ka vënë nën izolim një çift turistësh nga Vuhani. Autoritetet e Romës shpallen gjendjen 6-mujore të emergjencës.

Virusi i ri po përhapet shpejt, por po aq shpejt po punohet për frenimin e tij. Shkencëtarët thonë se janë pranë krijimit të një vaksine dhe se në verë priten testimet e para. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ajo kundër koronavirusit do të ishte vaksina e krijuar më shpejt në një situatë epidemie.