Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

“Përzgjedhur Produkti i Vitit”, marka prestigjioze vjen në Shqipëri

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2020, 13:11 | Aktualitet

Për herë të parë ashtu si edhe në 45 vende të botës, konsumatorëve shqiptarë do t’u jepet mundësia të votojnë për produktet që ata mendojnë se janë më cilësore. Këtë e bën të mundur kompania “Përzgjedhur Produkti i Vitit” që sapo ka nisur aktivitetin e saj në Shqipëri, e cila ka për qëllim të orientojë blerësit drejt produkteve inovative më të mira në treg si dhe të shpërblejë prodhuesit për produktet e tyre më të reja.

Në Francë, ku ka lindur dhe ideja në vitin 1987, u zhvillua ceremonia e çmimeve për vitin 2020, ku u vlerësuan 59 marka të fushave të ndryshme.

Presidenti i korporatës “Përzgjedhur Produkti i Vitit”, Philippe Gelder shpjegon suksesin e kësaj marke.

“E bleva kompaninë para 4 viteve nga Christian Le Bret (Kristian Lë Bre), të cilit i lindi kjo ide gjatë kohës që studionte. 33 vite më parë ishte një ide shumë origjinale, pasi zgjedhja bëhet nga vet konsumatorët. Ajo që bëjmë është t’u kërkojmë konsumatorëve të vlerësojnë produktet e tyre të preferuara, produktet e reja në treg. Këtë e bëjmë së bashku me një kompani studimesh, sepse duam një vlerësim të pavarur. Nuk e vendosim kurrë se kush është fituesi. Punojmë me kompaninë Nielsen në 45 vende në botë, ku marrim pjesë. Kërkojmë gjithmonë që kjo gjë të bëhet me shumë integritet, ndaj përdorim një kompani të jashtme të pavarur për studimet. Por në fund janë vetëm konsumatorët që gjykojnë produktin”, thotë ai.

“Të gjitha çelësat janë në duart e konsumatorit. Është një konkurs i cili konfirmohet nga vota dhe përzgjedhja e konsumatorëve të cilët testojnë dhe provojnë produktet që janë në konkurrim”, thotë Ilda Mara, CEO i “Përzgjedhur Produkti i Vitit” në Shqipëri. “Është një risi në Shqipëri e cila i jep hov markave të reja, inovacioneve të reja, është një lloj ndihme në marketimin e produkteve të reja inovative në treg”.

Marka është në zhvillim të vazhdueshëm në përshtatje me ndryshimet e tregut, për të reflektuar në mënyrë sa më të paanshme zërin e konsumatorëve.

“33 vite më parë nuk kishim teknologjinë e sotme. Sot ne përdorim internetin, aplikacionet për celularë që konsumatorët të blejnë dhe testojnë produktet. Ndaj kemi ndryshuar shumë. Por ajo që ka ndryshuar më tepër është fakti se po bëjmë shumë përpjekje që zëri i konsumatorit të përcillet sa më mirë. Dëshirojmë absolutisht që konsumatori të jetë gjykuesi dhe duam që i gjithë procesi të jetë 100% i kontrolluar. Nëse sot e bën një konkurs të tillë dhe nëse publiku mëson se është fals, nuk funksionon, pasi të gjithë janë të informuar me anë të rrjeteve sociale. Ndaj zhvilluam një metodë ku vazhdimisht pyesim partnerin tonë Nielsen të sigurohet që metodologjia e përdorur të përmirësohet vazhdimisht”, thotë Gelder.

Ndër fituesit francezë, që do të mbajnë me krenari logon e këtij çmimi për një vit, janë kompanitë më të mëdha vendase që dominojnë sektorin e ushqimeve, të produkteve të shëndetit, kujdesit personal, arredimit, e deri te shërbimet dhe produktet që sjellin teknologji të reja inovative.

“Në të gjithë botën ku jemi të shtrirë ka një sektor të ndryshëm të tregtisë. Në Francë për shembull ushqimet zënë 6% të shitjeve dhe kjo do të reflektohet edhe tek kategoritë. Por pjesa më e madhe e shitjeve bëhen në dyqane dhe kjo ka rëndësi pasi atje bëhet diferenca me logon. Megjithatë fituesit e përdorin edhe në internet, në mesazhe, në e-mail, e vendosin në portalet e tyre dhe ndërtojnë një histori. Ndaj është një fakt një makineri që tregon një histori suksesi”, thotë Gelder.

“Duhet të jetë një produkt i ri në treg, prej 24 muajsh dhe duhet të ketë diçka inovative, qoftë në përbërje, në ambalazhim, të jenë më miqësor me ambientin, etj.”, thotë Mara.

Çdo produkt që regjistrohet si kandidat në këtë çmim përfiton edhe një studim të rëndësishëm tregu, që i orienton ata drejt avantazheve dhe dobësive të produktit. Megjithatë fituesi ka përfitimin kryesor, që reflektohet tek shitjet direkte.

“Logoja nënkupton se ky produkt pëlqehet nga të gjithë konsumatorët. Dihet që është një produkt i preferuar pasi të gjithë konsumatorët kanë votuar për të dhe mund të kërkojnë informacion për të. Është një simbol që i jep blerësit një rrugë drejt produktit më të mirë në treg, diçka që pëlqehet pasi rekomandimi është kyç që konsumatorët të shkojnë drejt një produkti të ri”, shprehet Gelder.

“Fituesit marrin logon tonë përgjatë një viti, 2020 do të jetë rasti ynë. Do ta përdorin përgjatë gjithë vitit, nga shtatori 2020 deri në shtator 2021 në të gjithë marketimin e tyre. Është e provuar, tahsmë në 45 vende të botës që është një histori suksesi. Kush e fiton “produktin e vitit” e ndihmon në shitjen e produkteve”, thotë Mara.

“Mesatarisht ne kemi një rritje prej 25% të shitjeve pas vendosjes së logos. Në disa raste mund të shkojë në 300%, nëse produkti ka pak konkurrencë. Por nëse logoja ndodhet mbi produkt në dyqan, konsumatori do të joshet dhe do ta preferojë atë. Kur ndodhen në rafte me 4-5 produkte të tjerë është e padiskutueshme që të bëhet i preferuari për blerësin. Ndaj po, po funksionon shumë mirë për kompanitë që fitojnë çmimin”, thotë Gelder.

Me hyrjen në tregun shqiptar, ky çmim pritet të vendosë për herë të parë një standard cilësie, mbi bazën e besueshmërisë të klientëve.

“Në përgjithësi, kudo që e kemi futur konceptin po funksionon, po pëlqehet nga konsumatorët, pasi dëgjohet zëri i tyre. Mendoj se Shqipëria është gati për këtë, pasi sektori i tregtisë po forcohet, fuqia blerëse është. Ndaj nuk shoh asnjë arsye pse të mos jetë sukses si në vendet e tjera. Presim që konsumatorët ta pëlqejnë, markat ta adoptojnë dhe të shohin rezultate të mira prej saj. Jam i sigurt që ekipi në Shqipëri do të sigurohet që të funksionojë shumë mirë”, thotë Gelder.

Mara shpjegon mënyrën se si do të funksionojë përzgjedhja e produktit: “Për tregun shqiptar është 300 konsumatorë do të votojnë online, direkt, me fokus-grupe, për mënyrën se si do të përzgjidhet metodologjia. Më pas zgjedhjet do t’i përcillen një kompanie shumë prestigjioze ndërkombëtare, Nielsen International, e cila do të japë një studim tregu për secilin produkt, cilat janë të mirat dhe të këqijat e produktit dhe produktin fitues”.

“Është viti i parë në Shqipëri, ndaj do pak kohë të ngrihet. Zakonisht duhen 2-3 vite që marka të bëhet e famshme. Pse ndodh kjo? Sepse kur shpallim fituesit, zakonisht edicionin e parë 10-15 produkte, këto kompani e reklamojnë në televizion dhe në produktet e tyre. Ndaj duhen 2-3 vite që konsumatorët të mësohen me logon dhe më pas funksionon menjëherë”, tregon Gelder.

Çmimi për pëlqyeshmërinë e produktit shërben edhe si një pasaportë e markës drejt tregjeve të huaja, diçka që do të lehtësonte hyrjen e mallrave “Made in Albania” në tregjet europiane dhe botërore.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu